“Alternativa” i bashkohet qeverisë
Kryeministri Zoran Zaev duket se ka siguruar edhe një herë shumicën në parlamentin e Maqedonisë së Veriut për ta vijuar mandatin e tij qeverisës. Pas largimit të Lëvizjes Besa që pasoi edhe një mocion mosbesimi të dështuar në Kuvend u krijua një situatë e paqartë e mbështetjes së qeverisë. Por mbrëmjen e së shtunës, partia shqiptare “Alternativa” e drejtuar nga Afrim Gashi zhvilloi një mbledhje të strukturave dhe ra dakord që nga opozita t’i bashkohet qeverisë.
“Kuvendi Qendror i Alternativës me shumicë votash vendosi që Alternativa t’i bashkohet shumicës parlamentare dhe qeverisë aktuale. Është këtu momenti historik i hapjes së negociatave për aderim në BE dhe mbyllja e kontestit me Bullgarinë, që janë jo vetëm synime historike shtetërore, por edhe shqiptare, sepse në këtë mënyrë, bashkë me vendin tonë, i hapet rruga e integrimit dhe stabilitetit mbarë rajonit”.
Alternativa ka 4 deputetë dhe bashkë me deputetin rebel të lëvizjes Besa, Kastriot Rexhepi, mazhoranca qeverisëse arrin në 65 deputetë, 4 më shumë se shumica e thjeshtë në Kuvend. Alternativa pritet të përfaqësohet në nivel ministrish në kabinet, por kjo do të përcaktohet nga negociatat mes Zaev dhe Gashit.
Përveç LSDM-së dhe Alterantivës, pjesë e qeverisë janë edhe BDI-ja e Ali Ahmetit dhe PDSH-ja e Menduh Thaçit. Pas dështimit të mocionit të mosbesimit VMRO-DPMNE ka kërkuar që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme.
Tv Klan