Zbulohet një liqen i kripur nën sipërfaqen e Marsit. Ekziston prej shumë kohësh, ka ujë në formë të lëngshme, kripëra dhe është i mbrojtur nga rrezet kozmike, faktorë të cilët i përmbushin të gjitha kushtet për një jetë. Zbulimi i madh është bërë falë një kërkimi të gjatë me radarë, të cilët ishin në gjendje të penetronin me sinjalet e tyre nën sipërfaqen e planetit.
Elena Pettinelli, një prej ekspertëve që ka analizuar të dhënat e radarit të Agjencisë Hapësinore Evropiane në laboratorët e fizikës së aplikuar dhe radioastronomisë tha se zbulimi është mjaft i rëndësishëm dhe i papritur pasi kjo gjë mund të krijonte kushtet e jetës në një planet tjetër, përveç Tokës.
Bëhet fjalë për një liqen të madh me diametër rreth 20 km, në formë trekëndore. Studiuesit nuk përjashtojnë mundësinë që në planetin e kuq të ketë edhe liqene apo lumenj të tjerë, por tani do të jetë më e lehtë për të vrojtuar dhe kërkuar praninë e tyre në misionet e ardhshme.
Klan Plus