KQZ e Kosovës ka dalë në një konferencë ku sqaron qytetarët lidhur me bllokimin e faqes zyrtare të KQZ.
Në deklaratë Kreu i KQZ-së në Kosovë, Kreshnik Radoniqi siguron qytetarët e Kosovës se mostransmetimi i të dhënave apo rezultateve preliminare për subjektet politike përmes platformës elektronike, nuk ka asnjë ndikim në rezultatet.
“Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës, Ju njoftojmë se pas shumë përgatitjeve dhe testimeve që kemi bërë, gjithçka ishte gati që sot të transmetojmë rezultatet prelimnare për subjektet politike ashtu siç kemi bërë edhe në të kaluarën.
Por, për arsye se aplikacioni për përpunimin dhe prezantimin e të dhënave nuk ka funksionuar, ne nuk po arrijmë që t’i transmetojmë këto të dhëna përmes platformës elektronike.
Andaj, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u kërkon ndjesë të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, të cilët me shumë të drejtë kanë pritur që të mësojnë rezultatet preliminare të votimeve nga dita e sotme.
Në këto rrethana, KQZ ka shqyrtuar situatën dhe ka vendosur që të mbledhë të dhënat në mënyrë manuale nga të gjitha vendovotimet përmes formularëve të rezultateve për subjektet politike të cilat tashmë janë plotësuar në vendvotime pas numërimit të fletëvotimeve.
Sigurojmë qytetarët e Kosovës se mostransmetimi i të dhënave apo rezultateve preliminare për subjektet politike përmes platformës elektronike, nuk ka asnjë ndikim në rezultatet të cilat tashmë janë pjesë e këtyre formularëve dhe pasi t’i grumbullojmë në mënyrë manuale do t’i publikojmë”, shprehet në deklaratë Kreu i KQZ-së në Kosovë, Kreshnik Radoniqi./tvklan.al