Altin Dumani është zgjedhur kreu i ri i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) me 5 vota pro të anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Dumani do të jetë në krye të SPAK për 3 vjet, pa të drejtë rizgjedhje. Ai zëvendëson në këtë detyrë Arben Krajën.
Dy kandidatët e tjerë në këtë garë për kreun e SPAK ishin Edvin Kondili, i cili mori 4 vota dhe Adnan Xholi që mori 1 votë.
“Me 5 vota pro z.Altin Dumani emërohet drejtues i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar”, deklaroi kreu i KLP-së, Alfred Balla.
“Vendim për emërimin e drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar bazuar në nenin 148 “dh” dhe 149 “a” të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, në nenin 52 pika 1 të ligjit 96/2016 për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë, i ndryshuar, në nenin 15 të ligjit 95/2016 për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar, i ndryshuar, në nenin 164 pika 8, 166 pika 2, 189 pika 1 gërma “a” të ligjit 115/2016 për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë, i ndryshuar, në nenet 18,19 dhe 20 të rregullores mbi kriteret dhe procedurën për ngritjen në detyrë të prokurorëve pranë Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, i ndryshuar, pasi zhvilloi seancën dëgjimore ku u drejtuan edhe pyetjet përkatëse kandidatëve Adnan Xholi, Altin Dumani dhe Edvin Kondili, si dhe pasi votoi në rend alfabetik secilin prej tyre nga ku rezultoi se kandidati Adnan Xholi mori 1 votë, kandidati Altin Dumani mori 5 vota dhe kandidati Edvin Kondili mori 4 vota, Këshilli i Lartë i Prokurorisë vendosi:
1-Z.Altin Dumani emërohet drejtues në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
2-Mandati i z.Dumani si drejtues i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar do të jetë 3 vjet pa të drejtë rizgjedhje duke filluar nga data 19.12.2022 deri në 18.12.2025.
3-Të njoftohet me këtë vendim z.Dumani dhe Prokuroria e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.
4-Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën Administrative të Apelit jo më vonë se 5 ditë nga dita e shpalljes dhe publikimit zyrtar të vendimit.
5-Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe publikohet në faqen zyrtare web të këshillit.
6-U shpall në Tiranë, sot 16.12.2022”.
PROFILI I KREUT TË RI TË SPAK, ALTIN DUMANI
Altin Dumani e nisi punën në prokurorinë shqiptare në vitin 1999. Me një angazhim mbi 23 vjeçar në prokurori, karriera e tij nisi në Sarandë si oficer i Policisë Gjyqësore. Më pas ai u bë drejtues i Rrethit Gjyqësor Tropojë.
Për disa vite me radhë punoi në Prokurorinë e Përgjithshme në Tiranë, në Drejtorinë e Krimit të Organizuar. Po ashtu Dumani ka punuar në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranës. Gjithashtu, që në prej krijimit të Prokurorisë për Krimet e Rënda ishte pjesë e grupit të prokurorëve dhe 8 muaj pasi ishte pjesë e saj u emërua zv/drejtues në të asaj prokurorie deri në vitin 2007 dhe nga Qershori i atij viti, iu besua detyra për të drejtuar njësinë e përbashkët hetimore në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, për hetimin e krimit ekonomik dhe korrupsionit.
Pas 3 viteve në këtë njësi u transferua në Prokurorinë e Apelit Tiranë, ku qëndroi 8 vjet. Fillimisht i profilizuar kryesisht për çështjet e korrupsionit dhe pastrimit të parave. Me krijimin e Prokurorisë së Posaçme Dumani iu përgjigj thirrjes së Këshillit të Lartë të prokurorisë për t’u bërë pjesë e Prokurorisë së Posaçme. Dumani u zgjodh një ndër anëtarët e Prokurorisë së Posaçme me një vlerësim maksimal nga ana e KLP. Prej 3 vitesh ai është anëtar i SPAK.
TË GJITHA ZHVILLIMET E DITËS PËR ZGJEDHJEN E DREJTUESIT TË SPAK
Rama: Thashethemet për kapjen e SPAK nga regjimi i mori era, fjalën ta marrë puna me rezultate konkrete
Procesi i zgjedhjes së drejtuesit të ri të SPAKfoli vetë për të gjithë ata që duan të dëgjojnë dhe të gjitha thashethemet e katundit politik e mediatik për kapjen e skapjen e SPAK-ut nga regjimi i mori era! Urime drejtuesit të ri dhe fjalën le ta marrë puna me rezultate konkrete!
— Edi Rama (@ediramaal) December 16, 2022
Kryeministri Edi Rama ka uruar kreun e ri të SPAK, Altin Dumani, i cili u zgjodh sot me 5 vota pro nga KLP.
Në një reagim në Twitter, Kryeministri thotë se procesi i përzgjedhjes hodhi poshtë zërat “për kapjen e SPAK-ut nga regjimi”.
“Procesi i zgjedhjes së drejtuesit të ri të SPAK foli vetë për të gjithë ata që duan të dëgjojnë dhe të gjitha thashethemet e katundit politik e mediatik për kapjen e skapjen e SPAK-ut nga regjimi i mori era! Urime drejtuesit të ri dhe fjalën le ta marrë puna me rezultate konkrete”, shprehet Kryeministri Edi Rama.
Altin Dumani u zgjodh drejtuesi i ri i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për 3 vitet e ardhshme.
Zgjedhja e Altin Dumanit në krye të SPAK, ambasada e SHBA: Vazhdojmë të mbështesim zbatimin e Reformës në Drejtësi
Ambasada e SHBA në Tiranë ka përgëzuar Altin Dumanin për zgjedhje në krye të SPAK për 3 vitet e ardhshme.
Në reagimin e saj, ambasada e SHBA thotë se do të mbështesin Dumanin në krye të SPAK për të çuar përpara Reformën në Drejtësi, dhe për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar.
“Ambasada e SHBA përgëzon Altin Dumanin për zgjedhjen si Kryeprokurori i ardhshëm i SPAK. Të tre kandidatët – zoti Dumani, Adnan Xholi dhe Edvin Kondili – janë shumë të kualifikuar dhe meritojnë respekt të plotë në përpjekjet e tyre. Presim me kënaqësi të punojmë ngushtë me të gjithë ata. Për të çuar përpara Memorandumin e Presidentit Biden në Përcaktimin e Luftës kundër Korrupsionit si një Interes Thelbësor i Sigurisë Kombëtare të Shteteve të Bashkuara (qershor 2021), ne do të vazhdojmë të mbështesim zbatimin e reformës në drejtësi. Presim me kënaqësi të mbështesim zotin Dumani dhe SPAK-un ndërsa ata vazhdojnë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Puna e SPAK-ut duhet të vazhdojë të demonstrojë që askush nuk është mbi ligjin. Koha e pandëshkueshmërisë ka marrë fund”, thotë ambasada amerikane.
Reforma në Drejtësi, thekson ambasada e SHBA, është thelbësore për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.
“Reforma në drejtësi nuk është vetëm një kusht për anëtarësimin në BE, është një kërkesë e drejtë e popullit shqiptar. Shtetet e Bashkuara do qëndrojnë gjithnjë krah popullit shqiptar. Falenderojmë Këshillin e Lartë të Prokurorisë për një proces përzgjedhës i cili pati qëllim të siguronte integritetin e procesit. Është thelbësore për institucionet e drejtësisë që të veprojnë me integritet, pa frikë apo favore. Vlerësojmë shumë zotin Kraja për udhëheqësinë dhe përkushtimin e tij si Kryeprokurori i SPAK. Ai vendosi themele të forta mbi të cilat pasardhësit e tij mund të ndërtojnë”, thekson ambasada amerikane.
Altin Dumani u zgjodh sot në krye të SPAK nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë me 5 vota pro.
“Përfaqësoj politikën e SHBA”, ambasadorja Yuri Kim shpjegon pse shkoi në mbledhjen e KLP
Ambasadorja amerikane Yuri Kim shpjegoi arsyen e pranisë së saj në mbledhjen e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, teksa kandidatët për kreun e SPAK paraqitën kandidaturat e tyre.
Ajo theksoi se ky është një moment i rëndësishëm për sistemin e drejtësisë dhe se prioriteti i SHBA mbetet që reforma në drejtësi të zbatohet plotësisht. Kim tha se prezenca e saj nuk kishte asnjë mesazh të fshehur.
“Shoh që ka shumë teori spekulative që po qarkullojnë rreth e qark. Kështu që desha të shpjegoja veten. Dua të shpjegoj pse kam ardhur. Ky është vërtetë një moment i rëndësishëm për Reformën në Drejtësi dhe SPAK. Pse erdha? Erdha për të thënë saktësisht këtë, për të theksuar që ky është një moment i rëndësishëm. Erdha për të thënë që ajo që është e rëndësishme për këtë tranzicion është integriteti i procesit. Nuk jam këtu për t’i thënë askujt se për kë duhet të votojë apo se kë nuk duhet të votojë. Nuk ka asnjë mesazh të fshehur. SHBA kanë qenë të drejtpërdrejta me popullin shqiptar dhe ju e dini këtë. Ju e dini gjithashtu faktin që unë vetë nuk jam një person që i bën gjërat e buta. Unë them ato që nënkuptoj dhe nënkuptoj ato që them dhe përfaqësoj politikën e qeverisë së SHBA. Mbetet prioritet i SHBA që Reforma në Drejtësi të mund të zbatohet plotësisht. Është bërë shumë përparim dhe vërtetë shumë njerëz meritojnë meritë për këtë duke filluar me qeverinë e këtij vendi dhe për këtë meriton të vlerësohet. Merita i shkon edhe opozitës, edhe kritikëve që e mbajnë qeverinë të ndershme sepse kjo është puna e tyre. Merita i shkon gjithashtu të tjerëve që marrin pjesë në këtë proces, i shkon medias dhe qytetarëve që e ndjekin procesin. Puna e SHBA në këtë proces është që t’ju mbështesë. Ju duhet ta doni Reformën në Drejtësi, ju duhet ta doni ndryshimin më shumë se sa ne. Ruth Bader Ginsburg tha një gjë shumë të urtë kohët e fundit. Njerëzit, populli duhet ta kërkojë ndryshimin, pa njerëzit ndryshimi nuk vazhdon. Anekënd këtij vendi është e qartë për mua që njerëzit kërkojnë ndryshim. Andaj ky është një çast i rëndësishëm”, u shpreh Kim.
Kim po ashtu tha se ky është një çast i rëndësishëm për anëtarët e KLP, ashtu sikurse për kandidatët në garë për kreun e SPAK.
Është i rëndësishëm për anëtarët e KLP që kanë dëgjuar kandidatët dhe u kanë bërë pyetje të vështira. Jemi me të vërtetë me shumë fat sepse kemi 3 kandidatë që janë vërtetë shumë të kualifikuar, që të tre. Përpara tyre kanë një vendim të vështirë. Baza e këtij vendimi duhet të jetë objektiv dhe duhet të jetë një ekzaminim i kritereve dhe i kualifikimeve. Nuk duhet në fakt të bazohet nga perceptime kërcënimi ose premtime për favore. Kjo do të thyente integritetin e atij procesi. Është po ashtu i rëndësishëm për personin që do të përzgjidhet në pozicionin e kreut të këtij institucioni, për faktin se ai person duhet ta kuptojë që është zgjedhur në bazë të kritereve, prej përmbushjes së tyre, kualifikimeve të tij dhe jo në bazë të premtimeve për favore apo kërcënimeve në mënyrë që ai të mos e pandehë veten që i detyrohet diçka ndokujt. Ndaj kushdo që të zgjidhet duhet të konsiderojë faktin që pronari i vetëm i të cilit është ligji dhe duhet të ndihmojë më të mirën për këtë vend. Sërish, nuk ka një arsye tjetër të veçantë, erdha këtu sepse në këtë koha ma lejonte axhenda, kjo është shumë e qartë, ky është mesazhi im. Ju falenderoj dhe do ta ndjek këtë proces po aq afër sa ju”, u shpreh Kim.
Kondili: Në 18 vite si prokuror nuk më ka ndikuar asnjë emër, kam ngulmuar tek provat
Prokurori Edvin Kondili i është përgjigjur pyetjeve të anëtarëve të KLP-së në lidhje me kandidimin e tij për kreun e ri të KLP-së. Ai u shpreh se ka 18 vite që punon si prokuror dhe kurrë nuk ka ndikuar asnjë emër tek çështjet e tij, por ai vetë ka ngulmuar tek provat dhe të dhënat.
Në punën tuaj sa do të ndikojë emri i personit që do ketë lidhje me Prokurorinë e Posaçme kundrejt postit të tij apo të saj në një përqindje të caktuar. Sa kjo gjë mund të influencojë?
Edvin Kondili: Kjo pyetje lidhet që mund të jetë një subjekt i caktuar që përfaqëson diçka në kuptimin të një pushteti, le të themi, politik, shoqëror, ekonomik. Me shumë sinqeritet asnjë lloj ndikimi. Për mua, kam 18 vjet që punoj si prokuror, nuk ka ndikuar kurrë emri. Po. Kam ngulmuar tek pjesa e provave dhe të dhënave për emrat e përveç apo të përgjithshëm në funksion, në bindjen time, të një procesi të rregullt ligjor dhe në funksion të grumbullimit të provave, së pari për mua si prokuror të pakundërshtueshme dhe të pakontestueshme dhe pastaj në drejtim të përfaqësimit të tyre përpara gjykatës.
Nëse do të vinte në krye të SPAK, Kondili tha se thjesht do të jepte frymën për shpejtësi, efektivitet dhe hetime të plota pavarësisht subjekteve apo temës që po hetohet. Ai theksoi se prokurorët janë Zot të çështjeve dhe nuk mund të ndikohen nga askush, qoftë ky edhe kreu i SPAK.
“Në lidhje me çështjet që janë aktualisht në hetim nga Prokuroria e Posaçme, zot i atyre çështjeve natyrisht që është prokurori i çështjes. Plotësisht i pavarur dhe i pandikueshëm nga askush dhe për asnjë lloj arsyeje qoftë edhe nga drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme”.
Po ashtu, ai shtoi se nuk do të lërë asnjë dosje që ka aktualisht edhe nëse do të zgjidhej si kryetar i SPAK.
“Për ato çështje që kam si prokuror aktualisht nëse ndodh që KLP mua më përzgjedh për drejtues, me shumë pastërti kërkoj që nga ana juaj të verifikohet nëse unë do lë një nga këto çështje. Nuk do të lë asnjë nga këto çështje. Do përpiqem të punoj edhe më shumë sesa mund të jem duke punuar deri më tani, pavarësisht orareve të gjata apo ditëve të pushimit që për ne nuk kanë ndonjë ndryshim nga dita e zakonshme e punës, kjo është normale. Jo vetëm për mua, por për të gjithë kandidatët. Të gjitha çështjet siç i kam do përpiqem dhe ti mbaj vetë si prokuror me synimin kryesor dërgimin për gjykim”, u shpreh ai.
Gara për SPAK, Kondili: Përse e konsideroj pikë të fortë faktin që nuk kam pasur asnjëherë rol drejtues prokurorie
Edvin Kondili, kandidati i tretë për detyrën e drejtuesit të SPAK, gjatë mbledhjes së KLP ka theksuar se kandidatura e tij për këtë post vjen për herë të dytë. Teksa u ndal tek fakti se gjatë karrierës së tij 15-vjeçare pranë Prokurorisë të Krimeve të Rënda nuk ka pasur asnjëherë rolin e drejtuesit, një fakt që siç tha mund të jetë parë si pikë e dobët përpara këshillit, ai theksoi se në fakt e këtë e sheh si pikë të fortë të tij, duke argumentuar edhe përse.
“…Është e vërtetë se unë e kam parashtruar edhe në vitin 2019 përpara këshillit. E theksoj këtë fakt, unë kandidoj për herë të dytë në pozicionin e drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme. Përgjatë 15 viteve kur unë kam qenë prokuror i Krimeve të Rënda është e vërtetë që për asnjë moment unë nuk kam patur rolin e drejtuesit. Për aq sa jam njohur edhe publikisht, ndoshta mund të ketë qenë dhe një nga momentet që më ka penalizuar para këshillit, që nuk kisha qenë asnjëherë drejtues. Unë personalisht vazhdoj të shpreh pavarësisht kriterit të përcaktuar nga këshilli, mendimin tim, që mosqenia drejtues gjatë asaj periudhe, edhe pse mund të jetë konsideruar nga këshilli si pikë e dobët, në vlerësimin tim dhe për mua personalisht unë e konsideroj si një pikë të fortë për veten, duke patur parasysh mënyrën e përgjithshme të mënyrës sesi caktoheshin dhe promovoheshin shumica e drejtuesve në një sistem të centralizuar, kur ishte direkt preferenca e prokurorit të përgjithëm sipas persceptimit tim kjo, pa dashur të flas për asnjë koleg të nderuar që mund të ketë ushtruar me përkushtim detyrën e drejtuesit e prokurorisë në atë kohë.”
Gara për SPAK, kandidati Kondili tregon 2 objektivat e tij kryesore
Edvin Kondili është kandidati i tretë në garë për të marrë drejtimin e SPAK për 3 vitet e ardhshme. Para anëtarëve të KLP, ai shpalosi edhe vizionin e tij për drejtimin e Prokurorisë së Posaçme, nëse zgjidhet në krye të saj. Në fokus të objektivave të tij ishte funksionaliteti i plotë i BKH dhe pavarësia e prokurorëve.
“Vizioni im për vazhdimin e funksionimit efektiv të një strukture të ngritur tashmë, konsiston dhe në pasjen e objektivave kronkrete dhe përmbushjen e tyre. Këto objektiva lidhen me aspektet administrative të funksionimit të kësaj prokurorie, por sidomos me objektiva thelbësore, që lidhen me ndjekjen penale dhe përfaqësimin në gjykim të veprave penale dhe autorëve që kryejnë vepra në fushën e korrupsionit dhe krimit të organizuar”.
Kondili parashtroi edhe disa objektiva konkretë që lidhen me këtë vizion.
“Objektivi që unë kam vlerësuar që është mjaft i rëndësishëm në këto momente është kontributi në ngritjen e plotë dhe mirëfunksionimin tërësor të Byrosë Kombëtare të Hetimit. BKH është funksionale sa i përket pjesës hetimore të saj, pasi në qershor të 2022 u bë plotësimi i numrit prej 60 hetuesish dhe natyrisht dhe ndarja e tyre me prokurorët e caktuar. Byroja Kombëtare e Hetimit, ka dhe një komponent tjetër të rëndësishëm që është rekrutimi i shërbimeve të policisë gjyqësore. Këto shërbime në vlerësim tim janë të një rëndësie shumë të madhe për funksionimin e plotë dhe efektiv të BKH, sepse janë pjesa operacionale e strukturës. Për çështje të një natyre shumë specifike, por edhe sensitive do të duhet që BKH të ketë patjetër këtë strukturë dhe të mos angazhojë në veprime policinë e shtetit. Në bashkëpunim edhe me misione ndërkombëtare që mbikëqyrin këtë proces do të gjendjet mënyra më e përshtatshme për të realizuar këtë nevojë, por natyrisht dhe detyrim ligjor”.
Si objektiv tjetër, Kondili renditi pavarësinë dhe përgjegjshmërinë e prokurorit.
“Natyrisht që pavarësia dhe përgjegjshmëria e prokurorëve është e garantuar me ligj, por është e nevojshme që të vazhdohet konsolidimi i saj edhe në praktikën e përditshme. Drejtuesi aktual në vlerësimin tim ka ndjekur një praktikë shumë të mirë në këtë drejtim. Praktikë e cila do të ruhet edhe në vazhdim nëse më jepet mundësi për të qenë në rolin e drejtuesit të prokurorisë”.
Ambasadorja Kim në KLP, ndjek nga afër procesin e zgjedhjes së kreut të SPAK
Ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim, ka mbërritur në ambientet e Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Pasi ka mbërritur në ndërtesën e “Polit të Drejtësisë” ajo ka shkuar në sallën ku po zhvillohet mbledhja për prezantimin e platformave të 3 kandidatëve për kreun e ri të SPAK.
Ambasadorja nuk është prononcuar për gazetarët. Ajo është ulur në një prej karrigeve në fillim të sallës. Ndërkohë anëtarët e KLP-së po pyesnin prokurori Edvin Kondili në lidhje me platformën e tij.
Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të zgjedhë sot kreun e ri të Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion. Tre kandidatët në garë janë prokurorët Adnan Xholi, Altin Dumani dhe Edvin Kondili.
Pas dëgjimit të tre prokurorëve, anëtarët e KLP-së përmes një votimi të hapur, do shprehin vullnetin e tyre për drejtuesin e ri të Prokurorisë së Posaçme. Në sallë ndodhen edhe përfaqësues të ambasadës së SHBA-së. Gazetarja Glidona Daci ka mësuar se mungon anëtarja e KLP, Esmeralda Keshi.
Ambasadorja amerikane Yuri Kim, ka deklaruar dy ditë më parë se “procesi s’duhet të ndikohet nga ata që kanë interes për të kufizuar ose manipuluar.” Kreu aktual i SPAK, Arben Kraja, përfundon mandatin në datën 19 Dhjetor.
Kondili: Aftësia dhe eksperienca ime për të hetuar çështjet penale komplekse janë tregues plotësimi i këtij standardi
Prokurori Edvin Kondili i cili është një prej kandidatëve për kreun e SPAK ka prezantuar platformën e tij nëse zgjidhet në krye të Prokurorisë së Posaçme. Ai tha se aftësia dhe eksperienca e tij për të hetuar dhe përfaqësuar në gjykim çështje penale mjaft komplekse, me një numër të lartë të pandehurish është tregues i plotësimit të standardit që kërkohet.
“Roli im në cilësinë e drejtuesit të këtij komisioni në bashkëpunim të plotë dhe me dy anëtarët e tjerë të komisionit, ka qenë shumë i rëndësishëm për ta krijuar këtë komision, për ta hartuar rregulloren dhe funksionimin e tij si dhe për të përcaktuar procedura që duhet të ndjekë ky komision në realizimin e detyrimeve të tij ligjore. Duhet përmendur se kjo është një strukturë e ngritur për herë të parë e në mungesë të theksuar burimesh njerëzore dhe eksperience edhe me kontributin tim në cilësinë e kryetari, është arritur mirëfunksionimi i kësaj strukture. Gjithashtu për shkak të qenies drejtues i seksionit kundër korrupsionit, jam personi përgjegjës nga Prokuroria e Posaçme për hartimin e raportimeve që lidhen me kapitullin 23 Gjyqësori dhe të drejtat themelore dhe kriteri politik në kuadër të negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në BE.
Në muajin Nëntor të këtij viti në si Prokurori e Posaçme ishim pjesëmarrës në këto raportime, unë në cilësinë e raportuesit, po natyrisht dhe të hartuesit të prezantimit të Prokurorisë së Posaçme, mora një vlerësim të themi më shumë se shumë të mirë nga ato strukturat nga të cilat ne bëmë raportimin dhe prezantimin.
Aftësia dhe eksperienca ime për të hetuar dhe përfaqësuar në gjykim çështje penale mjaft komplekse, me një numër të lartë të pandehurish, por edhe me një numër të madh oficerësh të policisë gjyqësore për t’u drejtuar dhe kontrolluar, aftësitë për të drejtuar seksionin kundër korrupsionit në Prokurorinë e Posaçme si dhe drejtimin dhe organizimi i Komisionit të Posaçëm të verifikimit të pasurisë për Prokurorinë dhe Gjykatat e Posaçme, por edhe vizioni im në konsolidimin e funksionimit efektiv të Prokurorisë së Posaçme vlerësoj se është tregues i plotësimit prej meje të kërkesave edhe të këtij standardi”, ka thënë Edvin Kondili.
Gara për SPAK, Kondili: Kam guxim, vizion dhe përgatitje profesionale për të drejtuar Prokurorinë e Posaçme
Edvin Kondili është një prej kandidatëve për kreun e SPAK. Ai prezantoi para anëtarëve të KLP-së platformën e tij nëse zgjidhet në krye të Prokurorisë së Posaçme. Kondili tha se ka guximin, vizionin dhe përgatitjen profesionale për të drejtuar SPAK.
“Kam aplikuar për të qenë në krye të SPAK pasi mendoj se kam guxim, vizion dhe përgatitjen profesionale për të drejtuar Prokurorinë e Posaçme. Nëse do jem drejtues i SPAK do te kem angazhim maksimal që SPAK të jetë shembull i kthimit të besimit tek publiku dhe patjetër që do japim kontributin tonë për të qenë pjese e BE-së”, u shpreh Kondili.
Prokurori tregoi ndër të tjera edhe veprat penale që ka hetuar gjatë detyrës si prokuror, një detyrë të cilën tha se e ushtron prej 18 vitesh.
“Përgjatë 18 viteve në detyrën e prokurorit kam hetuar dhe përfaqësuar në gjykim një numër të madh të çështjeve penale që lidhen me të gjitha veprat që kanë patur në kompetencë si Prokuroria për Krime të Rënda dhe më pas Prokuroria e Posaçme. Natyrisht në pjesën e Prokurorisë së Posaçme, më tepër i fokusuar tek pjesa e veprave që lidhen me korrupsionin. Për të bërë një përshkrim unë shkurtimisht përmend faktin që veprat panel që kam hetuar dhe përfaqësuar në gjykim, në vlerësimin tim, cilësisht dhe me sukses kanë patur të bëjnë me veprat penale që lidhen me trafikimin e narkotikëve, trafikimin e armëve dhe municionit luftarak, trafikimin e lëndëve shpërthyese, rrëmbimit të personave, shtrëngimit me anë të kanosjes për dhënie pasurie, vrasjes së punonjësve të policisë, vrasjes për shkak të marrëdhënieve familjare, kryerja e veprave penale në kuadër të grupeve të strukturuara kriminale dhe organizatave kriminale, përgjithësisht me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike. Kryerjen e vrasjeve me paramendim. Kam hetuar edhe përfaqësuar në gjykatë çështje penale me një numër të madh të pandehurish ku disa prej tyre i kalonin edhe numrin prej 35 të pandehur. Masat e dënimit që kam kërkuara dhe që janë miratuar më pas natyrisht kjo edhe për shkak të natyrës së veprave penale që kam përfaqësuar në gjykim ka qenë me raste edhe me 20 vjet burgim apo deri në burgime të përjetshme. Kam hetuar gjithashtu dhe përfaqësuar në gjykim çështje kur të pandehurit janë dënuar dhe akuzuar për kryerjen e veprave penale në kuadër të grupeve të strukturuara, të cilat janë konsideruar çështje mjaft sensitive. Mund të përmend disa raste. Çështje të vitit 2014, kur 8 të pandehur janë deklaruar fajtorë për kryerjen e veprës penale trafikim i narkotikëve në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. Procedimi i vitit 2015, kur 11 të pandehur janë deklaruar fajtorë dhe janë dënuar për kryerjen e veprave penale për vrasjen e punonjësit të policisë dhe kundërshtimin me dhunë të punonjësve të policisë në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. Procedimi penal i hetuar dhe së fundmi nga ana ime që është procedim i vitit 2019, por që hetimet duke qenë të një natyre proaktive zgjaten me qëllim zbulimin dhe evidentimin e të gjithë shtetasve të implikuar ku hetohen 44 shtetas, 42 prej të cilëve në efektet e sigurimit arrest me burg. Hetimi dhe përfaqësimi në gjykim i këtyre çështjeve të një vështirësie mjaft të madhe, në vlerësimin tim, janë tregues i qartë jo vetëm në eksperiencën konkrete profesione, por edhe në përballimin e ngarkesave në të ardhmen edhe në rolin e drejtuesit të SPAK, natyrisht nëse do të më jepet një mundësi e tillë. Por natyrisht unë tek pjesa e platformës kam përmendur edhe një numër tjetër çështjesh penale, të cilat janë vlerësuar nga KLP edhe në fazën e kandidimit tonë për të qenë pjesë e Prokurorisë së Posaçme. Këto çështje penale kanë patur në zhvillim të tyre aplikimin e metodave speciale të hetimit, siç janë blerjet e simuluara, dorëzimet e kontrolluara. Mund të përmend dy raste të aplikimit me sukses të metodës speciale të dorëzimit të kontrolluar. Janë të dyja çështje që lidhen me trafikimin e narkotikëve në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. Njëra është e vitit 2018 ndërsa njëra është e vitit 2019. Hetimi me sukses i këtyre çështjeve ka sjellë si pasojë sekuestrimin e dy prej sasive më të mëdha të sekuestruara të kokainës. Në vetëm një rast sasia e lëndës narkotike kokainë të sekuestruar ka qenë 613 kilogramë. Në rastin tjetër ka qenë një sasi prej më tepër se 100 kilogramë ku janë çështje që kanë rezultuar të suksesshme jo vetëm në fazën e hetimit, por edhe në fazën e gjykimit”, u shpreh Kondili.
Edvin Kondili është pjesë e sistemit të drejtësisë prej 18 vitesh. 15 vjet nga të cilat pranë prokurorisë për krime të rënda, që nga viti i parë i krijimit të saj deri në ditën e pushimit të funksioneve të kësaj prokurorie. Më pas që nga dita e parë e fillimit të funksionimit të Prokurorisë së Posaçme e deri më sot vazhdon detyrën e prokurorit pranë kësaj prokurorie. Prej vitit 2020 e në vazhdim ushtron gjithashtu detyrën e drejtuesit të seksionit kundër korrupsionit pranë kësaj prokurorie.
Kandidati për kreun e SPAK, Adnan Xholi prezanton platformën
Është duke u zhvilluar mbledhja e KLP-së ku do të zgjidhet kreu i ri i Prokurorisë së Posaçme. I pari që prezantoi platformën para anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë ishte prokurori Adnan Xholi. Ai u shpreh se ka një eksperiencë 24-vjeçare në prokurori pa shkëputje. Sipas Xholit, SPAK pavarësisht rezultateve të shkëlqyera që ka arritur, duhet që të vijojë me hapa të mëtejshëm cilësorë në drejtim të luftës pa kompromis kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
“Jam njëri nga kandidatët që ka shprehur vullnetin për të drejtuar prokurorinë e Posaçme. Duke vlerësuar se plotësoj kriteret që ka përcaktuar KLP në rregulloren për ngritjen në detyrë të drejtuesit, me bindjen se kam aftësitë e duhura, profesionale, hetimore dhe menaxhuese për të drejtuar një nga institucionet më të rëndësishme falë reformës në sistemin e drejtësisë, sikundër është edhe Prokuroria e Posaçme. Kjo prokurori është bërë efektive dhe tashmë e konsoliduar falë punës suaj të palodhur dhe ndihmesës që kanë dhënë partnerët tanë ndërkombëtarë në çdo moment dhe çdo hap të drejtimit të kësaj strukture. Trupa e prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme, e them me bindjen, që është ndër trupat më profesionale e prokurorëve të Republikës së Shqipërisë. Jam krenar që punoj me ta gjithsecili çdo ditë dhe shkëmbej informacioneve në çdo moment.
Por krahas rezultateve të shkëlqyera që ka arritur Prokuroria e Posaçme në këto 3 vite, periudhë shumë e shkurtër për t’u matur marzhi i ngarkesës për gjithsecilin, mendoj se ka ardhur momenti që trupa e prokurorëve të SPAK duhet të vijojë me hapa të mëtejshëm cilësorë në drejtim të luftës pa kompromis kundër korrupsionit në nivele të larta, krimit të organizuar me qëllim për të forcuar më tej besimin e publikut tek institucioni i Prokurorisë së Posaçme. Për t’u përballur me publikun do duhet që të kemi hetime konkrete në një kohë të shpejtë, me rezultate të pritshme dhe gjithmonë duke u bazuar vetëm në prova pasi si jurist jemi të detyruar që për gjithsecilin të mbështetemi në prova të pakundërshtueshme pranë gjykatës”, u shpreh Xholi.
Xholi tha se ka filluar punë në prokurori nga roli bazë duke ngjitur të gjitha shkallët e karrierës deri në hierarkinë e prokurorisë shqiptare. Ai ka përfunduar studimet në Tiranë për drejtësi në vitin 1997. Pas përfundimit të studimeve është titulluar si OPGJ në Tepelenë dhe nga viti 1999 deri në vitin 2004 ka qenë zv/drejtues dhe drejtues i Prokurorisë Gjirokastër. Nga Janari i 2004 me krijimin e ish-Prokurorisë së Krimeve të Rënda ka qenë prokuror dhe njëfarë kohe drejtues i Prokurorisë për Krime të rënda, deri në muajin Maj 2013. Nga Maj 2013 deri në Korrik 2021 ka qenë prokuror dhe drejtor i disa drejtorive pranë Prokurorisë së Përgjithshme.
“Kjo përvojë drejtuese më ka dhënë mundësinë që të forcoj, drejtoj dhe konsolidoj raportet mes prokurorisë shqiptare, gjithë institucione ligjzbatuese vendase dhe ndërkombëtare. Çmoj se ky lloj bashkëpunimi është mëse efikas në luftën kundër kriminalitetit për të gjitha llojet, aq më tepër sa i përket krimit të organizuar dhe korrupsionit në nivele të larta”, u shpreh Xholi.
Ai tha se krahas eksperiencës profesionale ka eksperiencë të pashkëputur edhe në fushën akademike.
Gara për kreun e SPAK, kandidati Adnan Xholi tregon pikën e tij më të fortë
Adnan Xholi është një prej 3 kandidatëve në garë për të drejtuar Prokurorinë e Posaçme, për 3 vitet e ardhshme. Duke iu përgjigjur pyetjeve të anëtarëve të KLP, Xholi foli për punën e bërë nga SPAK në këto 3 vite duke e vlerësuar si tejet të suksesshme dhe tha se do të kërkojë të vijohet me të njëjtin ritëm, por duke rritur shpejtësinë e kryerjes së hetimeve. I pyetur se cila është pika e tij më e fortë, ai tha se është bashkëpunimi me kolegët dhe me institucionet e tjera ligjzbatuese.
Duke qenë se ju keni qenë pjesë e këtyre dy strukturave, si e konsideroni punën e SPAK në raport me Prokurorinë e Krimeve të Rënda?
Adnan Xholi: Për të bërë krahasimin mes Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe Prokurorisë së Posaçme, do të duhet që në radhë të parë duhet të marrësh efektin kohë. Kjo prokurori për një kohë relativisht të re, prej 3 vitesh ka arritur të japë rezultate të suksesshme në goditjen e zyrtarëve të lartë shtetëror dhe sekuestrimin e aseteve me miliona euro. Them që ka qenë punë e shkëlqyer, e kolegëve të mi të Prokurorisë së Posaçme atë çfarë kanë bërë deri më sot. Dhe do kërkoj që të vijohet me të njëjtin ritëm edhe në vijim, por duke rritur shpejtësinë në kryerjen e hetimeve në vendimmarrjet përkatëse.
Si e vlerësoni punën e deritanishme të SPAK, punën 3 vjeçare?
Adnan Xholi: Në lidhje me kompetencat që ka pasur Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe tashmë ka Prokuroria e Posaçme, ka pasur me të vërtetë Prokuroria e Krimeve të rënda një vrull çështjesh gjatë 2004 e në vijim për shkak se të gjitha veprat penale të rënda që kishin ndodhur në territorin e Shqipërisë janë transferuar pranë asaj prokurorie dhe pjesa dërrmuese e kriminalitetit dhe krimit të organizuar u ndëshkuan gjatë asaj periudhë. Por edhe Prokuroria e Posaçme, falë edhe çështjeve që u transferuan ish-Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe ato që u nisën rishtazi janë dënuar me rezultat të lartë dhe grupe kriminale që ishte e pamundur që mos ekzistonin këto dy lloj strukturash nuk do të ndëshkoheshin nga gjykata të tjera, që janë ndër gjykatat dhe gjyqtarët më profesionistë të cilët kanë dhënë vendime të bazuar në prova të cilat i kanë mbledhur këto lloj prokurorësh.
Thatë në objektivat tuaja që do të kujdeseni që të ketë një shpërndarje transparente të materialeve në hetim, çnënkuptoni me këtë, duke pasur parasysh edhe mënyrën e funksionimit të strukturës së posaçme?
Adnan Xholi: Në lidhje me shpërndarjen transparente, patjetër që edhe sot e kësaj dite shpërndarja bëhet me short të Prokurorisë së Posaçme, por shorti është manual dhe për publikun do të duhet që të kishte një short me pajisje elektronike që të mos jetë i manipulueshëm dhe kjo është arsyeja. Nuk ka asnjë lloj problemi dhe mënyra e hedhjes së shortit manual sepse është një procedurë si të kesh fatin. Kështu që nuk ka pasur asnjëlloj problematike dhe e vlerësoj mënyrë sesi është ndarë deri aktualisht.
Cilën vlerësoni si pikën tuaj më të fortë në këtë kandidim?
Adnan Xholi: Pika ime e fortë, e thashë edhe në fjalën time i kam provuar të gjitha funksionet drejtuese. Kam qenë edhe drejtues i Krimeve të Rënda që tashmë ka ndryshuar emërtimin sot, SPAK. Them se ato aftësi të mia drejtuese, bashkëpunimin me familjen time të prokurorëve dhe oficerëve të policisë gjyqësore, përveçse i kam kolegë, por me ta ne kemi pjesën më të madhe të kohës, nuk po arrijmë të shikojmë kalamajtë tanë, po me kolegët jemi aty. Kjo lloj sinergjitë e re, ky lloj bashkëpunimi me kolegët dhe me institucionet e tjera ligjzbatuese them që është një ndër pikat e mia që unë e kam dhënë përvojën, them që ta avancoj dhe më tutje.
“Cila është pika juaj më e dobët?” Si përgjigjet kandidati për kreun e SPAK, Adnan Xholi
Adnan Xholi, një nga tre kandidatët për t’u bërë kreu i SPAK, u gjend përpara pyetjes se cilat janë pikat e tij të dobëta ndaj vetes dhe prokurorisë së posaçme të cilat do i përmirësojë. Ai u shpreh se për shkak të përvojës disavjeçare si prokuror, pika e dobët është skepticizmi.
“Sikundër dihet tashmë prokurorët e prokurorisë së posaçme përfaqësojnë akuzën në tre shkallët e gjykimit dhe do duhet që krahas hetimit, të angazhohet dhe në gjykim sepse përfaqësimi i akuzës është diçka thelbësore. Dhe për të përfaqësuar një çështje të suksesshme, do duhet që të kesh një hetim të suksesshëm, hetim të cilin pavarësisht se prokurori ka rolin kryesor, drejton dhe kontrollon hetimet, e ka të pamundur që t’i kryejë 100% të veprimeve hetimore dhe krahu i tij i djathtë janë strukturat e oficerëve, të policisë gjyqësore dhe oficerëve të Byrosë Kombëtare të Hetimit.
Jam koshient që pjesa e oficerëve të Byrosë Kombëtare të Hetimit, pjesa dërrmuese nuk vijnë nga radhët e Prokurorisë apo Policisë së Shtetit, vijnë nga institucione të tjera të cilat nuk e kanë patur eksperiencën e duhur profesionale që mund të ndihmonte. Por kanë diçka të veçantë, që këto kanë vullnetin për të punuar dhe dëshirën për të mësuar dhe gjithsecili nga prokurorët ka marrë përsipër dhe unë me cilësinë e prokurorit apo drejtuesit që të shtoj më tej aftësitë e tyre profesionale pikërisht për shkak të këtyre cilësive që do na duhet të mbledhim prova të pakundërshtueshme që të vemi përpara gjykatës dhe të mos riskojmë pafajësi dhe mandej pastaj të shkelen të drejtat dhe liritë themelore të njeriut.
Pika ime e dobët, e thashë në fjalën time, e përmendët edhe ju që kam 24 vite si prokuror, jam shumë skeptik që unë të vete para gjykatës sidomos në rastet e krimit të organizuar për korrupsionin duke u marrë vetëm me pikën fundore. Do desha që jo para dyerve të drejtësisë të venë ai që është hallka më e hollë, pika më e dobët e sistemit, por të gjendet kush është organizatori, financuesi, ekzekutori, porositësi dhe udhëheqësi i një veprimtarie të paligjshme kriminale dhe mbase hetimet nuk mbyllen brenda ditës, por derisa të arrij që ta zbërthej këtë skemë, unë do të dal me rezultate konkrete. Kjo është pika ime e dobët dhe nuk mund ta ndryshoj falë përvojës time disavjeçare”, tha Xholi.
Adnan Xholi: Paguhemi si të tjerët, punojmë 24/24
Adnan Xholi, një nga tre kandidatët për t’u bërë kreu i SPAK është pyetur nga anëtarja e Këshillit të Lartë të Prokurorëve, Zonja Sejti, se çfarë pritshmërie do ketë komuniteti nga ai sepse sipas saj është pjesë e institucionit më të paguar.
Sejti: Nuk më pëlqen fakti që vini përsëri me të njëjtën mbiemër superior për prokurorët e Strukturës së Posaçme sepse njësia juaj matëse nuk është statistika, njësia juaj matëse është pritshmëria dhe pyetja ime është çfarë pritshmërie do kemi jo ne, por komuniteti sepse jeni institucioni më i paguar, më i vlerësuar, më i vëmendshëm, më i pranishëm nga gjithçka tjetër që mund të ketë një magjistrat. Kush do jetë para publikut, para komuniteti, para gjithë shqiptarëve të Shqipërisë dhe të huaj ata që ju do i çoni atje ku kanë vendin për këto 30 vite?
Adnan Xholi: Duke qenë se unë me të vërtetë nga muaji Shtator i vitit të kaluar kam filluar punën efektivisht pranë asaj strukture, por kam qenë edhe shumë vite të tjera pranë të njëjtës godinë, por tashmë me emër të ndryshuar dhe në lidhje me superioritetin e prokurorëve e them me bindje dhe përulem para kolegëve, për atë punë që kanë bërë, pavarësisht se pritshmërisë së opinionit publik për të ndëshkuar këto që bën një deklaratë publike nga mëngjesi në darkë dhe të nesërmen ne do vemi me hetuesit e BKH që t’u vëmë prangat.
E nderuar zonja Sejti ne jemi juristë, jemi njerëz qytetarë, nëse do kemi prova të tilla të cilat vënë para dyshimeve të arsyeshme se një zyrtar i lartë është i përfshirë në aktivitet kriminal, nuk do i shpëtojë kthetrave të BKH, pa vajtur para kësaj godine. Por jo me opinione dhe jo me fjalë boshe, prandaj janë këto struktura që duhet të mbledhë provat e pakundërshtueshme në kohë reale dhe të bëjë hetime sa më cilësore dhe patjetër Struktura e Posaçme me anti-korrupsion është krijuar falë vullnetit politik, mbështetjes së partnerëve tanë, SHBA dhe BE, janë pikërisht për të goditur korrupsionin në nivelet e zyrtarëve të lartë dhe krimin e organizuar bashkë me terrorizmin.
Ajo godinë, pikërisht me ato subjekte ka për detyrë që të merret dhe do merret. Ne që punojmë çdo ditë dhe çdo natë atje, një diçka mund të them e nderuara anëtare e Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Prokurorët e Prokurorisë së Posaçme kanë harruar ditët e pushimit, orare zyrtare. Aty punohet 24 orë në 24.
Nuk mund ta dijë publiku se si punohet dhe çfarë bëhet. Në momentin që do dalin rezultate konkrete, nuk jemi nga ajo trupë prokurorësh të cilët mendohet dhe flitet në publik që jemi struktura më e mirë paguar . Jemi një strukturë që paguhemi njësoj si gjithë të tjerët. Grupi i pagës që paguhen prokurorët e Prokurorisë së Posaçme është grupi G3, sikundër merrni ju, marrin prokurorët e Prokurorisë së Përgjithshme gjyqtarët e lartë Gjykata Kushtetuese. Shtesat në vjetërsi apo shtesat sepse ne kemi hequr dorë nga privatësia rrit këtë pagë, por paga është e barabartë sa një drejtor në kryeministri, sa një sekretar i përgjithshëm dhe sa një prokuror i këtij grupi.
Grupi i pagës është G3, pjesa tjetër, kush ka kurajën dhe vullnetin që të heqë dorë nga privatësia, ne nuk kemi patur asnjë gjë për të fshehur , kemi vajtur atje, paguhemi 80% më shumë se të tjerët, kush të dëshirojë, të aplikojë, nëse fiton vullnetin tuaj, le të paraqitet dhe të marrë këto lloj privilegje.
Kandidati për kreun e SPAK, Xholi: Duhet insistuar në aplikimin e metodave të posaçme të hetimit
Adnan Xholi ishte prokurori i parë që prezantoi platformën e tij në garën për kreun e KLP-së. Ai u pyet nga një prej anëtarëve të KLP-së në lidhje me eficencën e hetimeve dhe mjetet për teknikat e posaçme të hetimit. Prokurori Xholi tha se duhet të insistohet në aplikimin e metodave të posaçme të hetimit duke shtuar numrin e bashkëpunëtorëve të drejtësisë, dëshmitarëve të penduar e deri tek aksesimi në komunikimet që deri më sot prokurorët e kanë pasur të pamundur.
“Në lidhje me eficencën e mjeteve të kërkimit të provave. Tashmë me të vërtetë që aplikohen shumë metodat e posaçme të hetimit. Por bëj me dije që tek struktura e Prokurorisë së Posaçme në të njëjtën çështje bëj me dije faktin se aplikohen disa herë pothuajse të gjitha metodat e posaçme të hetimit. Duhet të insistohet pikërisht në aplikimin e këtyre metodave të posaçme të hetimit duke shtuar edhe numrin e bashkëpunëtorëve të drejtësisë dëshmitarëve të penduar dhe më kryesorja do na duhet që të kemi mjetet teknike për të bërë të mundur aksesimin në ato të dhëna, në atë lloj komunikimesh që deri më sot e kemi të pamundur. Nëse do duhen fonde, ajo lloj prokurorie nuk e cënon buxhetin e shtetit, sepse vetëm me konfiskimet që bën në vit, vetëm me një përqindje arrin që t’i blejë vetë falë kontributit sepse nuk lejohet që të ketë shpërblime për punonjësit, por thjesht për infrastrukturën. Ato do i vë në dispozicion nëse do marr pëlqimin tuaj për të qenë drejtues i asaj strukture”, u shpreh Xholi.
Gara për SPAK, kandidati Altin Dumani shpalos vizionin: Garancia më e madhe, bilanci që kam në këto 3 vite
Kandidati tjetër në garë për kreun e SPAK është Altin Dumani. Para anëtarëve të KLP, ai shpalosi vizionin e tij nëse zgjidhet në krye të Prokurorisë së Posaçme.
“Nëse më jepet mundësi për të qenë drejtues i kësaj prokurorie do të bëhet i mundur ndërtimi i një institucioni sipas vizionit që unë mendoj dhe që ky vizion për ta përmbledhur përmban ndërtimin e një strukture të aftë, që do ushtrojë me sukses ndjekjet penale kundër korrupsionit, apo krimit të organizuar të çdolloj niveli me qëllim që qytetarët e këtij vendi të kenë besim tek sistemi i drejtësisë. Unë besoj se suksesi varet nga bashkëpunimi cilësor, institucional, nga puna në grup, nga autonomia dhe pavarësia e organit të Prokurorisë së Posaçme, si nga pikëpamja proceduriale si dhe nga integriteti personal i çdo anëtari të Prokurorisë së Posaçme, si dhe integriteti i institucionit në tërësi”.
Dumani po ashtu tha se garancia më e madhe në ndërtimin e një Prokurorie të Posaçme, sipas tij bilanci që ai ka në këto 3 vite.
“Iu përgjigja thirrjes e KLP për t’u bërë pjesë e Prokurorisë së Posaçme, u zgjodha një ndër anëtarët me një vlerësim maksimal nga ana e KLP. U bënë 3 vjet që jam anëtar i kësaj prokurorie të posaçme dhe ndihem i privilegjuar. Qenien pjesë së saj nuk e kam parë si një vend pune, e kam parë si një mision, një mision shumë i vështirë, dhe këtë frymë kam përhapur tek të gjithë kolegët me të cilët punoj ngushtë. Garancia më e madhe në ndërtimin e një prokurorie të posaçme, është edhe bilanci që unë kam në këto 3 vite”.
Kandidati për kreun e SPAK, Altin Dumani: Jam angazhuar vetë në hetimet për grupet e krimit të organizuar
Kandidati Altin Dumani përmblodhi përpara anëtarëve të KLP arritjet e tij në 3 vite angazhim në prokurorinë e posaçme. Ai tha se ka hetuar 99 çështje me 284 persona të hetuar. Në luftën e grupeve të krimit të organizuar, Dumani u shpreh se ka një kontribut të drejtpërdrejtë pasi është angazhuar vetë me hetime si dhe i ka organizuar ato, për të cilat vijon se kanë qenë të suksesshme dhe ka kërkuar edhe burgime të përjetshme.
“Garancia më e madhe në ndërtimin e një prokurorie të posaçme sipas atij vizioni që unë përmenda, sipas një prokurorie të suksesshme është edhe bilanci që unë besoj kam në këto 3 vite si i angazhuar pranë prokurorisë së posaçme ku më lejoni shumë shkurt të bëj një përmbledhje të këtij bilanci. Megjithëse kam qenë në detyrën e zëvendësdrejtuesit të prokurorisë së posaçme, kam marrë një ngarkesë të plotë në hetim dhe gjykim, si dhe prokurorët e tjerë, madje edhe më shumë se prokurorët e tjerë.
Kam hetuar 99 çështje me 284 persona të hetuar. Kam ushtruar ndjekje penale edhe pse nuk i përkas seksionit kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Kam ushtruar ndjekjen penale për vepra me natyrë korruptive, për shembull vepra penale që i takojnë korrupsionit në drejtësi ku kam ushtruar ndjekjen penale. Kam përfaqësuar çështjet e gjykimit për gjykatës të apelit dhe gjyqtarë të shkallës së parë, prokurorë, oficerë të policisë gjyqësore, për drejtues të ndryshëm institucionesh dhe po i referohem vetëm çështjeve me vendim të formës së prerë, me vendim fajësie të formës së prerë.
Gjithashtu qenia edhe pjesë e seksionit të krimit të organizuar më ka dhënë mundësinë të angazhohem në hetimin e çështjeve shumë të rëndësishme, çështje shumë sensitive për kohën dhe vlerësoj se i kam përfaqësuar me sukses këto çështje duke u përballur me eksponentë të ndryshëm të krimit të organizuar dhe duke përfaqësuar denjësisht akuzën, kjo është detyra jonë faktikisht, nuk është se kemi bërë ndonjë gjë tjetër jashtë detyrës. Detyra jonë kjo është, të përfaqësojmë në mënyrë të denjë akuzën para çdo personi pavarësisht funksionit që ka qoftë sa i takon krimit të gradës së parë apo qoftë sa i takon grupeve të krimit të organizuar me të cilët më është dashur të angazhohem me hetime të drejtpërdrejta vetë, të organizoj hetime, të përfshij në hetime hetues dhe pasjen e hetimeve të suksesshme duke kërkuar edhe burgime të përjetshme dhe kërkesa të cilat janë miratuar edhe nga ana e gjykatës.
Për të ardhur te roli i drejtuesit të seksionit kundër krimit të organizuar apo edhe zëvendësdrejtuesit, përgjithësisht kam ndërtuar një klimë shumë të mirë me prokurorët e linjës, një klimë ku mbisundon mirëkuptimi me njëri-tjetrin, bashkëpunimi me njëri-tjetrin dhe kemi ndihmuar njëri-tjetrin në kryerjen e hetimeve të suksesshme duke u bërë pjesë e hetimit në grupet hetimore të ngritura. Gjithashtu nuk mund të lë pa përmendur këtu edhe luftën kundër krimit të organizuar, shef seksioni i të cilit edhe kam qenë falë edhe kontributit tim, patjetër, edhe të drejtuesit, kemi sot një bashkëpunim shumë të frytshëm, shumë cilësor me gjithë agjencitë e huaja të zbatimit të ligjit të cilat gjejnë te prokuroria e posaçme një partner besnik, një partner të aftë profesionalisht dhe të cilit mund t’i besojnë çdo gjë.
Në këtë periudhë janë krijuar 20 skuadra të përbashkëta hetimore falë edhe kontributit tim të drejtpërdrejtë në disa prej këtyre skuadrave të përbashkëta hetimore, jam drejtues i tyre dhe e gjitha kjo është bërë vetëm falë besimit që agjenci të ndryshme të zbatimit të ligjit dhe nuk them vetëm me italianët sepse ndoshta me autoritetet italiane është normalitet bashkëpunimi dhe krijimi i skuadrave të përbashkëta hetimore, por po them edhe me agjencitë ligjzbatuese franceze, angleze, zvicerane”, tha Dumani.
Dumani: Hetimi i korrupsionit më i vështirë. Kryhet nga persona që njohin ligjin dhe përpiqen të mos lenë gjurmë
Me një karrierë të gjatë në sistemin e drejtësisë, Altin Dumani, një prej kandidatëve për të drejtuar Prokurorinë e Posaçme për 3 vitet e ardhshme, ka punuar edhe në atë që dikur ishte Prokuroria për Krimet e Rënda. Duke iu përgjigjur pyetjeve të anëtarëve të KLP, ai foli për punën e bërë nga të dyja këto institucione, ndërsa veçoi se ndryshe nga Krimet e Rënda, SPAK heton edhe korrupsionin. Pikërisht duke u ndalur tek kjo e fundit, Dumani tha se ajo që e bën më të vështirë hetimin e kësaj vepre penale është fakti se kryhet nga persona që kanë njohuri për ligjin dhe përpiqen të mos lenë gjurmë.
Duke qenë se ju keni qenë pjesë e këtyre dy strukturave, si e konsideroni punën e SPAK në raport me Prokurorinë e Krimeve të Rënda?
Altin Dumani: Po kam qenë pjesë e Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Për 3 vite që kam punuar unë e vlerësoj maksimalisht punën e asaj prokurorie. Në atë kohë i është dashur të përballet me krimin e organizuar sepse atë kishte objekt të vet në atë kohë. E vlerësoj maksimalisht. Kam pasur vetë rastin që të hetoj disa prej çështjeve më të rëndësishme të kohës. Ishte një punë që të ngjallte dhe satisfaksion, sepse në fund të një çështje kishe një vendim fajësie për eksponentë të krimit të organizuar të asaj kohe, apo autorë të Krimeve të Rënda, kështu që kam një vlerësim maksimal të paktën në atë kohë që unë kam qenë pjesë e atij kolektivi. Për të ardhur tek SPAK: Vlerësim maksimal për prokurorët e SPAK, janë kolegë të nderuar, të motivuar, profesionalisht shumë të mirë. Kemi më shumë mundësi tani se atëherë sa i takon mjeteve teknike të hetimit dhe metodave speciale të hetimit. Jemi mundur t’i përdorim më gjerësisht. Ndryshimi tjetër është që, nëse te Krimet e Rënda kishim vetëm krimet e rënda, ne kemi dhe korrupsionin. Janë dy natyra krimesh që kërkojnë metodologji hetimi të ndryshme, në vlerësimin tim pak më e vështirë është hetimi i veprave penale me natyre korruptive se ato të krimit të organizuar sepse krimi kryhet nga persona që kanë njohur për ligjin dhe përpiqen të mos lenë gjurmë kur kryejnë krimin.
Gara për SPAK, Kondili: Kam guxim, vizion dhe përgatitje profesionale për të drejtuar Prokurorinë e Posaçme
Edvin Kondili është një prej kandidatëve për kreun e SPAK. Ai prezantoi para anëtarëve të KLP-së platformën e tij nëse zgjidhet në krye të Prokurorisë së Posaçme. Kondili tha se ka guximin, vizionin dhe përgatitjen profesionale për të drejtuar SPAK.
“Kam aplikuar për të qenë në krye të SPAK pasi mendoj se kam guxim, vizion dhe përgatitjen profesionale për të drejtuar Prokurorinë e Posaçme. Nëse do jem drejtues i SPAK do te kem angazhim maksimal që SPAK të jetë shembull i kthimit të besimit tek publiku dhe patjetër që do japim kontributin tonë për të qenë pjese e BE-së”, u shpreh Kondili.
Prokurori tregoi ndër të tjera edhe veprat penale që ka hetuar gjatë detyrës si prokuror, një detyrë të cilën tha se e ushtron prej 18 vitesh.
“Përgjatë 18 viteve në detyrën e prokurorit kam hetuar dhe përfaqësuar në gjykim një numër të madh të çështjeve penale që lidhen me të gjitha veprat që kanë patur në kompetencë si Prokuroria për Krime të Rënda dhe më pas Prokuroria e Posaçme. Natyrisht në pjesën e Prokurorisë së Posaçme, më tepër i fokusuar tek pjesa e veprave që lidhen me korrupsionin. Për të bërë një përshkrim unë shkurtimisht përmend faktin që veprat panel që kam hetuar dhe përfaqësuar në gjykim, në vlerësimin tim, cilësisht dhe me sukses kanë patur të bëjnë me veprat penale që lidhen me trafikimin e narkotikëve, trafikimin e armëve dhe municionit luftarak, trafikimin e lëndëve shpërthyese, rrëmbimit të personave, shtrëngimit me anë të kanosjes për dhënie pasurie, vrasjes së punonjësve të policisë, vrasjes për shkak të marrëdhënieve familjare, kryerja e veprave penale në kuadër të grupeve të strukturuara kriminale dhe organizatave kriminale, përgjithësisht me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike. Kryerjen e vrasjeve me paramendim. Kam hetuar edhe përfaqësuar në gjykatë çështje penale me një numër të madh të pandehurish ku disa prej tyre i kalonin edhe numrin prej 35 të pandehur. Masat e dënimit që kam kërkuara dhe që janë miratuar më pas natyrisht kjo edhe për shkak të natyrës së veprave penale që kam përfaqësuar në gjykim ka qenë me raste edhe me 20 vjet burgim apo deri në burgime të përjetshme. Kam hetuar gjithashtu dhe përfaqësuar në gjykim çështje kur të pandehurit janë dënuar dhe akuzuar për kryerjen e veprave penale në kuadër të grupeve të strukturuara, të cilat janë konsideruar çështje mjaft sensitive. Mund të përmend disa raste. Çështje të vitit 2014, kur 8 të pandehur janë deklaruar fajtorë për kryerjen e veprës penale trafikim i narkotikëve në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. Procedimi i vitit 2015, kur 11 të pandehur janë deklaruar fajtorë dhe janë dënuar për kryerjen e veprave penale për vrasjen e punonjësit të policisë dhe kundërshtimin me dhunë të punonjësve të policisë në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. Procedimi penal i hetuar dhe së fundmi nga ana ime që është procedim i vitit 2019, por që hetimet duke qenë të një natyre proaktive zgjaten me qëllim zbulimin dhe evidentimin e të gjithë shtetasve të implikuar ku hetohen 44 shtetas, 42 prej të cilëve në efektet e sigurimit arrest me burg. Hetimi dhe përfaqësimi në gjykim i këtyre çështjeve të një vështirësie mjaft të madhe, në vlerësimin tim, janë tregues i qartë jo vetëm në eksperiencën konkrete profesione, por edhe në përballimin e ngarkesave në të ardhmen edhe në rolin e drejtuesit të SPAK, natyrisht nëse do të më jepet një mundësi e tillë. Por natyrisht unë tek pjesa e platformës kam përmendur edhe një numër tjetër çështjesh penale, të cilat janë vlerësuar nga KLP edhe në fazën e kandidimit tonë për të qenë pjesë e Prokurorisë së Posaçme. Këto çështje penale kanë patur në zhvillim të tyre aplikimin e metodave speciale të hetimit, siç janë blerjet e simuluara, dorëzimet e kontrolluara. Mund të përmend dy raste të aplikimit me sukses të metodës speciale të dorëzimit të kontrolluar. Janë të dyja çështje që lidhen me trafikimin e narkotikëve në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. Njëra është e vitit 2018 ndërsa njëra është e vitit 2019. Hetimi me sukses i këtyre çështjeve ka sjellë si pasojë sekuestrimin e dy prej sasive më të mëdha të sekuestruara të kokainës. Në vetëm një rast sasia e lëndës narkotike kokainë të sekuestruar ka qenë 613 kilogramë. Në rastin tjetër ka qenë një sasi prej më tepër se 100 kilogramë ku janë çështje që kanë rezultuar të suksesshme jo vetëm në fazën e hetimit, por edhe në fazën e gjykimit”, u shpreh Kondili.
Edvin Kondili është pjesë e sistemit të drejtësisë prej 18 vitesh. 15 vjet nga të cilat pranë prokurorisë për krime të rënda, që nga viti i parë i krijimit të saj deri në ditën e pushimit të funksioneve të kësaj prokurorie. Më pas që nga dita e parë e fillimit të funksionimit të Prokurorisë së Posaçme e deri më sot vazhdon detyrën e prokurorit pranë kësaj prokurorie. Prej vitit 2020 e në vazhdim ushtron gjithashtu detyrën e drejtuesit të seksionit kundër korrupsionit pranë kësaj prokurorie.
Kondili: Aftësia dhe eksperienca ime për të hetuar çështjet penale komplekse janë tregues plotësimi i këtij standardi
Prokurori Edvin Kondili i cili është një prej kandidatëve për kreun e SPAK ka prezantuar platformën e tij nëse zgjidhet në krye të Prokurorisë së Posaçme. Ai tha se aftësia dhe eksperienca e tij për të hetuar dhe përfaqësuar në gjykim çështje penale mjaft komplekse, me një numër të lartë të pandehurish është tregues i plotësimit të standardit që kërkohet.
“Roli im në cilësinë e drejtuesit të këtij komisioni në bashkëpunim të plotë dhe me dy anëtarët e tjerë të komisionit, ka qenë shumë i rëndësishëm për ta krijuar këtë komision, për ta hartuar rregulloren dhe funksionimin e tij si dhe për të përcaktuar procedura që duhet të ndjekë ky komision në realizimin e detyrimeve të tij ligjore. Duhet përmendur se kjo është një strukturë e ngritur për herë të parë e në mungesë të theksuar burimesh njerëzore dhe eksperience edhe me kontributin tim në cilësinë e kryetari, është arritur mirëfunksionimi i kësaj strukture. Gjithashtu për shkak të qenies drejtues i seksionit kundër korrupsionit, jam personi përgjegjës nga Prokuroria e Posaçme për hartimin e raportimeve që lidhen me kapitullin 23 Gjyqësori dhe të drejtat themelore dhe kriteri politik në kuadër të negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në BE.
Në muajin Nëntor të këtij viti në si Prokurori e Posaçme ishim pjesëmarrës në këto raportime, unë në cilësinë e raportuesit, po natyrisht dhe të hartuesit të prezantimit të Prokurorisë së Posaçme, mora një vlerësim të themi më shumë se shumë të mirë nga ato strukturat nga të cilat ne bëmë raportimin dhe prezantimin.
Aftësia dhe eksperienca ime për të hetuar dhe përfaqësuar në gjykim çështje penale mjaft komplekse, me një numër të lartë të pandehurish, por edhe me një numër të madh oficerësh të policisë gjyqësore për t’u drejtuar dhe kontrolluar, aftësitë për të drejtuar seksionin kundër korrupsionit në Prokurorinë e Posaçme si dhe drejtimin dhe organizimi i Komisionit të Posaçëm të verifikimit të pasurisë për Prokurorinë dhe Gjykatat e Posaçme, por edhe vizioni im në konsolidimin e funksionimit efektiv të Prokurorisë së Posaçme vlerësoj se është tregues i plotësimit prej meje të kërkesave edhe të këtij standardi”, ka thënë Edvin Kondili.
Gara për SPAK, kandidati Kondili tregon 2 objektivat e tij kryesore
Edvin Kondili është kandidati i tretë në garë për të marrë drejtimin e SPAK për 3 vitet e ardhshme. Para anëtarëve të KLP, ai shpalosi edhe vizionin e tij për drejtimin e Prokurorisë së Posaçme, nëse zgjidhet në krye të saj. Në fokus të objektivave të tij ishte funksionaliteti i plotë i BKH dhe pavarësia e prokurorëve.
“Vizioni im për vazhdimin e funksionimit efektiv të një strukture të ngritur tashmë, konsiston dhe në pasjen e objektivave kronkrete dhe përmbushjen e tyre. Këto objektiva lidhen me aspektet administrative të funksionimit të kësaj prokurorie, por sidomos me objektiva thelbësore, që lidhen me ndjekjen penale dhe përfaqësimin në gjykim të veprave penale dhe autorëve që kryejnë vepra në fushën e korrupsionit dhe krimit të organizuar”.
Kondili parashtroi edhe disa objektiva konkretë që lidhen me këtë vizion.
“Objektivi që unë kam vlerësuar që është mjaft i rëndësishëm në këto momente është kontributi në ngritjen e plotë dhe mirëfunksionimin tërësor të Byrosë Kombëtare të Hetimit. BKH është funksionale sa i përket pjesës hetimore të saj, pasi në qershor të 2022 u bë plotësimi i numrit prej 60 hetuesish dhe natyrisht dhe ndarja e tyre me prokurorët e caktuar. Byroja Kombëtare e Hetimit, ka dhe një komponent tjetër të rëndësishëm që është rekrutimi i shërbimeve të policisë gjyqësore. Këto shërbime në vlerësim tim janë të një rëndësie shumë të madhe për funksionimin e plotë dhe efektiv të BKH, sepse janë pjesa operacionale e strukturës. Për çështje të një natyre shumë specifike, por edhe sensitive do të duhet që BKH të ketë patjetër këtë strukturë dhe të mos angazhojë në veprime policinë e shtetit. Në bashkëpunim edhe me misione ndërkombëtare që mbikëqyrin këtë proces do të gjendjet mënyra më e përshtatshme për të realizuar këtë nevojë, por natyrisht dhe detyrim ligjor”.
Si objektiv tjetër, Kondili renditi pavarësinë dhe përgjegjshmërinë e prokurorit.
“Natyrisht që pavarësia dhe përgjegjshmëria e prokurorëve është e garantuar me ligj, por është e nevojshme që të vazhdohet konsolidimi i saj edhe në praktikën e përditshme. Drejtuesi aktual në vlerësimin tim ka ndjekur një praktikë shumë të mirë në këtë drejtim. Praktikë e cila do të ruhet edhe në vazhdim nëse më jepet mundësi për të qenë në rolin e drejtuesit të prokurorisë”.
Gara për SPAK, Kondili: Përse e konsideroj pikë të fortë faktin që nuk kam pasur asnjëherë rol drejtues prokurorie
Edvin Kondili, kandidati i tretë për detyrën e drejtuesit të SPAK, gjatë mbledhjes së KLP ka theksuar se kandidatura e tij për këtë post vjen për herë të dytë. Teksa u ndal tek fakti se gjatë karrierës së tij 15-vjeçare pranë Prokurorisë të Krimeve të Rënda nuk ka pasur asnjëherë rolin e drejtuesit, një fakt që siç tha mund të jetë parë si pikë e dobët përpara këshillit, ai theksoi se në fakt e këtë e sheh si pikë të fortë të tij, duke argumentuar edhe përse.
“…Është e vërtetë se unë e kam parashtruar edhe në vitin 2019 përpara këshillit. E theksoj këtë fakt, unë kandidoj për herë të dytë në pozicionin e drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme. Përgjatë 15 viteve kur unë kam qenë prokuror i Krimeve të Rënda është e vërtetë që për asnjë moment unë nuk kam patur rolin e drejtuesit. Për aq sa jam njohur edhe publikisht, ndoshta mund të ketë qenë dhe një nga momentet që më ka penalizuar para këshillit, që nuk kisha qenë asnjëherë drejtues. Unë personalisht vazhdoj të shpreh pavarësisht kriterit të përcaktuar nga këshilli, mendimin tim, që mosqenia drejtues gjatë asaj periudhe, edhe pse mund të jetë konsideruar nga këshilli si pikë e dobët, në vlerësimin tim dhe për mua personalisht unë e konsideroj si një pikë të fortë për veten, duke patur parasysh mënyrën e përgjithshme të mënyrës sesi caktoheshin dhe promovoheshin shumica e drejtuesve në një sistem të centralizuar, kur ishte direkt preferenca e prokurorit të përgjithëm sipas persceptimit tim kjo, pa dashur të flas për asnjë koleg të nderuar që mund të ketë ushtruar me përkushtim detyrën e drejtuesit e prokurorisë në atë kohë.”
Profil, kush janë 3 kandidatët për kreun e SPAK
Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të zgjedhë sot kreun e ri të Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion. Tre kandidatët në garë janë prokurorët Adnan Xholi, Altin Dumani dhe Edvin Kondili. Fillimisht anëtarët e KLP do të intervistojnë tre kandidatët për postin e drejtuesit që do të drejtojë këtë institucion që heton krimin dhe korrupsionin në nivel të lartë.
Adnan Xholi
Adnan Xholi e nisi punën në prokurori nga roli bazë duke ngjitur të gjitha shkallët e karrierës deri në hierarkinë e prokurorisë shqiptare. Ai ka përfunduar studimet në Tiranë për drejtësi në vitin 1997. Pas përfundimit të studimeve është titulluar si OPGJ në Tepelenë dhe nga viti 1999 deri në vitin 2004 ka qenë zv/drejtues dhe drejtues i Prokurorisë Gjirokastër. Nga Janari i 2004 me krijimin e ish-Prokurorisë së Krimeve të Rënda ka qenë prokuror dhe njëfarë kohe drejtues i Prokurorisë për Krime të rënda, deri në muajin Maj 2013. Nga Maj 2013 deri në Korrik 2021 ka qenë prokuror dhe drejtor i disa drejtorive pranë Prokurorisë së Përgjithshme.
Altin Dumani
Altin Dumani e nisi punën në prokurorinë shqiptare në vitin 1999. Me një angazhim mbi 23 vjeçar në prokurori, karriera e tij nisi në Sarandë si oficer i Policisë Gjyqësore. Më pas ai u bë drejtues i Rrethit Gjyqësor Tropojë. Për disa vite me radhë punoi në Prokurorinë e Përgjithshme në Tiranë, në Drejtorinë e Krimit të Organizuar. Po ashtu Dumani ka punuar në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranës. Gjithashtu, që në prej krijimit të Prokurorisë për Krimet e Rënda ishte pjesë e grupit të prokurorëve dhe 8 muaj pasi ishte pjesë e saj u emërua zv/drejtues në të asaj prokurorie deri në vitin 2007 dhe nga Qershori i atij viti, iu besua detyra për të drejtuar njësinë e përbashkët hetimore në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, për hetimin e krimit ekonomik dhe korrupsionit. Pas 3 viteve në këtë njësi u transferua në Prokurorinë e Apelit Tiranë, ku qëndroi 8 vjet. Fillimisht i profilizuar kryesisht për çështjet e korrupsionit dhe pastrimit të parave. Me krijimin e Prokurorisë së Posaçme Dumani iu përgjigj thirrjes së Këshillit të Lartë të prokurorisë për t’u bërë pjesë e Prokurorisë së Posaçme. Dumani u zgjodh një ndër anëtarët e Prokurorisë së Posaçme me një vlerësim maksimal nga ana e KLP. Prej 3 vitesh ai është anëtar i SPAK.
Edvin Kondili
Edvin Kondili është pjesë e sistemit të drejtësisë prej 18 vitesh. 15 vjet nga të cilat pranë prokurorisë për krime të rënda, që nga viti i parë i krijimit të saj deri në ditën e pushimit të funksioneve të kësaj prokurorie. Më pas që nga dita e parë e fillimit të funksionimit të Prokurorisë së Posaçme e deri më sot vazhdon detyrën e prokurorit pranë kësaj prokurorie. Prej vitit 2020 e në vazhdim ushtron gjithashtu detyrën e drejtuesit të seksionit kundër korrupsionit pranë kësaj prokurorie.
Kreu i SPAK në largim uron kandidatët
Ditën e sotme pritet që të zgjidhet kreu i ri i SPAK. Tre kandidatët në garë janë prokurorët Adnan Xholi, Altin Dumani dhe Edvin Kondili.
Drejtuesi në detyrë i SPAK, Arben Kraja, u ka uruar sukses kandidatëve. Ai ka publikuar mëngjesin e kësaj të premteje një foto me 3 prokurorët Xholi, Dumani dhe Kondili.
Kraja thotë në postimin e tij se “SPAK do të vazhdojë të përmbushë detyrimet ligjore me efektivitet dhe me të lartë”.
Suksese kandidatëve për Drejtues ! SPAK do të vazhdojë të përmbushë detyrimet ligjore me efektivitet dhe me të lartë. pic.twitter.com/im66JGM4D7
— Kraja Arben (@KrajaArben1) December 16, 2022
/tvklan.al