Ka shkuar në 76 numri i viktimave dhe 51 të tjerë janë plagosur nga zjarri i fuqishëm që përfshiu një hotel skish në malet Bolu të Turqisë, ku pushuesit u detyruan të hidheshin nga dritaret për t’i shpëtuar flakëve ose të përpiqeshin të përdornin çarçafët për të ikur nga ndërtesa.

Zjarri shpërtheu rreth orës 3:30 të mëngjesit të së martës në restorantin e hotelit 12-katësh Grand Kartal në vendpushimin e Kartalkaya në provincën Bolu, në veri-perëndim të Turqisë.

“Jemi në dhimbje të thellë”, u tha gazetarëve ministri i brendshëm i Turqisë, Ali Yerlikaya, pasi inspektoi vendin.


“Por duhet ta dini se kushdo që është përgjegjës për shkaktimin e kësaj dhimbjeje nuk do t’i shpëtojë drejtësisë”, shtoi ai.

Yerlikaya tha se të paktën 51 persona të tjerë ishin plagosur dhe se 45 nga 76 personat që humbën jetën ishin identifikuar.

Ministri i Shëndetësisë, Kemal Memisoglu, tha se të paktën një nga personat e plagosur ishte në gjendje të rëndë dhe se 17 të tjerë ishin liruar nga spitali.

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, shpalli ditë zie kombëtare të mërkurën. Të gjithë flamujt në ndërtesat qeveritare dhe misionin diplomatik turk jashtë vendit do të ulen në gjysmështizë. /tvklan.al