Edhe në këtë 21 Janar, 14 vjet pas ngjarjes tragjike në bulevardin para Kryeministrisë, familjarë, ministra e deputetë të PS-së përkujtuan 4 viktimat e protestës.

Të afërmit e Ziver Veizit, Hekuran Dedës, Faik Myrtajt dhe Aleks Nikës, shoqëruar nga zv/Kryeministrja Belinda Balluku, Kryeparlamentarja Elisa Spiropali vendosën nga një karafil të kuq, në vendet, ku ata u qëlluan.

Nga Davosi, ku ndodhet në Forumin Ekonomik Botëror, Kryeministri Rama pati mesazhin e tij, jo pa kritikë për drejtësinë.

“Drejtësia vonon po nuk harron”, thotë populli dhe sot kush po e vonon drejtësinë për 21 Janarin, nuk duhet të harrojë se fëmijët e dëshmorëve po bëhen prindër duke pritur drejtësinë”, shkruan Rama në Facebook.

Më pas, në përgjigje të ndjekësve në Facebook, kreu i qeverisë theksoi se drejtësia e munguar për këtë ngjarje, njollos reformën në drejtësi.

“Çdo vit që kalon jo vetëm shtohet barra e turpit mbi këdo që duhet të japë drejtësinë e munguar, por njollos dhe vetë reformën në drejtësi duke poshtëruar jo vetëm familjet e dëshmorëve por një popull të tërë që do dhe meriton drejtësi për 21 Janarin. Drejtësia për 21 Janarin është drejtësi jo thjesht për një ngjarje të djeshme por të sotmen dhe të nesërmen”, tha Rama.

Rama theksoi se kritikat për drejtësinë, nuk duhet t’i drejtohen PS-së apo qeverisë dhe pse vlerësoi përpjekjet që janë bërë.

“Të gjitha kritikat apo akuzat drejtuar meje e prej nesh për mos dhënien e drejtësisë së 21 Janarit janë në adresë të gabuar. Nga ana tjetër unë dhe ne nuk kemi qëndruar duarkryq por kemi bërë betejë epokale për drejtësi për pavarësimin e saj nga pushteti politik dhe krijimin e kushteve që drejtësia të bëjë drejësi për të gjithë”, tha Rama.

Pasi Gjykata e Strasburgut e cilësoi “krim shtetëror që duhet zbardhur”, dosja për “21 Janarin” po hetohet nga Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar pas një vendimi të Gjykatës së Lartë më 12 Mars 2024.

Vendimi u mor pas rekursit të bërë nga familjarët e viktimave, Aleks Nika, Ziver Veizi, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj.

Klan News