Edi Rama këmbënguli edhe sot në komunikimin “Sy m’sy” me ndjekësit e tij se vetëm PS do të jetë garanti i Strukturës së Posaçme Antikorrupsion, por pranon se deri më tani ekspertët amerikanë të OPDAT kanë qenë shumë prezentë dhe madje aktivë në godinën e SPAK-ut që kryeministri i referohet si godina te “Stacioni i Trenit”.

“Amerika i kishte njerëzit e vet që asistonin SPAK-un, shkonin hynin paradite pasdite. Nuk janë më. I ka tërhequr Amerika. Keni dëgjuar ndonjë deklaratë të ambasadës amerikane ju për SPAK-un? Kur BE pati një deklaratë sa i përket atyre që u quajtën presione. Unë ato që thashë do i them prapë po qe nevoja dhe nuk u heq asnjë presje”, tha Rama.

Por Rama garanton se qasja e tij nuk ka ndryshuar dhe nuk do ndryshojë në raport me SPAK-un sepse po të ishte ndryshe atëherë skenari do të ishte shumë i thjeshtë për të.

“Këneta është e përbetuar që do ta shkrijë SPAK-un. Nëse do isha dhe unë i interesuar për këtë, do ishte më e thjeshta fare. E dini se si do vinte ai bufi, me një fishkëllimë se e sjell tmerri që ka nga drejtësia, me të kaluarën që është aty dhe që e persekuton. Menjëherë vinte dhe nuk do kishte më SPAK. Do shikonit që nuk do hapte më gojë Amerika sepse ka ndryshuar qasje”, tha Rama.

Pa e përmendur si rast konkret akuzën e Veliajt ndaj prokurorit të çështjes së tij se e ka ofenduar në sallën e gjyqit, Rama tha se ka shumë shembuj që tregojnë se janë shkelur të drejtat e njeriut në shumë raste nga SPAK.

“Kushdo që merr në pyetje këdo aty te Stacioni i Trenit, duhet të ketë parasysh se duhet ta respektojë. Këtu do kemi një problem të madh te mungesa e respektit dhe mungesa e vlerësimit bazik të së drejtës dhe lirësisë kushtetuese të gjithsecilit”, tha Rama.

Kryeministri flet për të gjithë luftën që ka bërë për të luftuar korrupsionin, por sipas tij perceptimi është shumë i lartë pasi dhe opozita ka luajtur një kartë duke përfshirë dhe SPAK-un në strategjinë e saj për të nxirë të gjithë hallkat e qeverisjes.

“Këneta është subjekt i luftës antikorrupsion, këneta është e supermbolizuar për të spërkatur me llumin e vet gjithçka këdo dhe vazhdimisht dhe me një strategji të qartë për ta përdorur llogoren antikorrupsion, SPAK si një mjet të vetin të luftës politike duke e vënë në lëvizje përmes presionit të llumit, përmes rrugës së denoncimeve të gjithfarshme dhe përmes një shantazhi permanent”, tha Rama.

Gjithsesi argumenti i Ramës që thotë se është dhe e vërteta e faktuar është ecuria e procesit të negociatave që nëse Shqipëria do të ishte e zhytur në krim e korrupsion si e pikturon opozita nuk do të përparonte me negociatat e anëtarësimit.

Tv Klan