Dërgon kallëzimet në Prokurorinë e Tiranës
Pas disa ditësh verifikime për dy kallëzimet e qeverisë dhe Partisë Socialiste mbi ngjarjen e 21 Janarit 2011, Prokuroria e Posaçme vlerësoi se nuk është kompetente për të hetuar çështjen dhe dërgoi materialet në Prokurorinë e Tiranës.
SPAK edhe pse është institucioni kompetent për hetimin e ish-kryeministrit Sali Berisha dhe ish-ministrit të Brendshëm, Lulzim Basha, të dy të kallëzuar për vrasje në atë që mazhoranca e quan krim shtetëror, vrasjen e 4 protestuesve në protestën e 21 Janarit, nga materialet e deritanishme nuk gjeti indicie të mjaftueshme për implikimin e tyre.
Nga ana tjetër vepra penale e vrasjes është një akuzë që pa përfshirjen e një zyrtari apo ish-zyrtari të lartë, hetohet në çdo rast tjetër nga Prokuroritë e rretheve.
Me këto argumente dy kallëzimet tashmë janë marrë në dorën e akuzës së kryeqytetit dhe do kalojnë një fazë tjetër verifikimi. Ndërkohë Prokuroria e Tiranës ka një hetim të hapur për çështjen e 21 Janarit dhe po kryen veprime hetimore për vrasjen e dy protestuesve, Aleks Nikës dhe Hekuran Dedës, për të cilat nuk ka ende asnjë autor.
Qeveria dhe Partia Socialiste dërguan kallëzime në SPAK pas publikimit të një audio ku pretendohet se ka biseda për urdhrin e dhënë për të qëlluar në protestën e 21 Janarit 2011,duke u konsideruar si provë e re, e cila ende nuk është administruar nga prokuroria.
Tv Klan