Të paktën 26 persona humbën jetën dhe të paktën 50 të tjerë mbetën të plagosur pas një sulmi në aeroportin e Adenit në Jemen. Gjatë shpërthimit është vrarë një prej ministrave dhe disa prej shoqëruesve të anëtarëve të ekzekutivit. Shpërthimet dhe të shtënat me armë u dëgjuan pasi një aeroplan me qeverinë e re të Jemenit mbërriti në aeroport nga Arabia Saudite. Anëtarët e kabinetit, duke përfshirë Kryeministrin Maeen Abdulmalik, u transferuan të sigurt në pallatin presidencial.
Ministri i Informacionit i Jemenit Moammar Al-Eryani fajësoi sulmin ndaj rebelëve Houthi të mbështetur nga Irani, duke shtuar se të gjithë anëtarët e qeverisë ishin të sigurt. I dërguari special i KB për Jemen, Martin Griffiths, dënoi shpërthimin si një “akt të papranueshëm dhune”. Qeveria e Jemenit, e mbështetur nga Arabia Saudite, u betua në 18 Dhjetor para Presidentit Abd Rabbu Mansour Hadi, si pjesë e një marrëveshje për ndarjen e pushtetit të ndërmjetësuar nga Emiratet e Bashkuara Arabe në 2019. Jemeni, vendi më i varfër i botës arabe, është përfshirë nga lufta civile që nga viti 2014, kur rebelët Houthi pushtuan veriun dhe Sanaa. Vitin pasues, një koalicion ushtarak i udhëhequr nga Sauditi ndërhyri për të zhvilluar luftë me Houthis dhe për të rivendosur qeverinë e Hadi në pushtet.
Jemeni vijon të jetë në një luftë civile prej disa vitesh me fraksione të mbështetura nga Irani dhe Arabia Saudite që kërkojnë marrjen e pushtetit. Gjatë luftimeve në Jemen janë vrarë më shumë se 112,000, përfshirë mijëra civilë. Konflikti gjithashtu rezultoi në krizën më të keqe humanitare në botë./tvklan.al