Personat që shihni në foto janë vëllezërit binjakë, Florent dhe Nazmi Pëllumbi që u konfliktuan me njëri tjetrin, sherr ky që përshkallëzoi në përdorimin e armës, e për pasojë u plagos aksidentalisht nipi i tyre, 15 vjeçar.
Ngjarja u regjistrua mbrëmjen e së Enjtes në Fushë-Mëzez, teksa dy vëllezërit po konfliktoheshin fizikisht në oborrin e përbashkët të banesës së tyre.
Me ndërhyrjen e familjarëve të tyre, zënka fillimisht është shuar, por Nazmi Pëllumbi tashmë i shpallur në kërkim nuk është mjaftuar me aq, por ka hyrë në banesë dhe ka marrë kallashnikovin duke hapur zjarr ndaj të vëllait të tij binjak.
Të shtënat nuk kanë prekur të vëllain e tij, Florentin, por aksidentalisht kanë kapur nipin e tyre 15 vjeçar, që ndodhej në pjesën e jashtme të banesës.
I mituri u dërgua menjëherë në spital nga i ati i tij, aty ku iu konstatuan 1 plumb në kraharor dhe 2 në krah. Aktualisht 15-vjeçari ndodhet në spital në gjendje të stabilizuar.
Krahas 29-vjeçarit, Nazmi Pëllumbi të shpallur në kërkim, policia ka arrestuar dhe të vëllain e tij Florentin, pasi në banesë iu gjet një sasi kokaine.
Nga hetimet e deritanishme, policia dhe prokuroria dyshon se ngjarja ka si zanafillë një konflikt mes dy vëllezërve për motive droge.
Tv Klan