Policia e Tiranës ka zbardhur ngjarjen ku mbeti i plagosur 15-vjeçari në Fushë Mëze, mbrëmjen e së enjtes. Gjithçka ka lidhje me një konfliktin e dy xhajave të tij binjakë, njëri prej të cilëve përdori armën gjatë këtij sherri.

Policia ka arrestuar Florant Pëllumbin 29 vjec dhe ka shpallur në kërkim vëllain e tij binjak, Nazmi Pëllumbin. E gjithë ngjarja është zbardhur nga dëshmia e nënës së 15-vjeçarit, e cila i tregoi policisë se dy kunetërit e saj u konfliktuan në oborrin e përbashkët të dy banesave. Adoleshenti dhe babai i tij fshehën fillimisht krimin.

I riu i tha policisë në Spitalin e Traumës, se u qëllua 4 herë në drejtim të derës kryesore të oborrit të shtëpisë nga një makinë e zezë, që u largua menjëherë. Edhe i ati i tij dha dëshmi kontradiktore, pasi sipas tij, kishte dëgjuar disa të shtëna. Ai i tha policisë se pasi doli në oborr, gjeti të plagosur djalin.

Hetuesit, nga këqyrja e vendit të ngjarjes, konstatuan 5 vrima plumbash në derë, të cilët janë qëlluar nga brenda oborrit duke rrëzuar hipotezën se është qëlluar nga jashtë. Dyshimet e hetuesve janë për konflikt mes 2 vëllezërve, debat që mund të ketë degraduar në oborr deri në përdorimin e armës.

Policia ka shoqëruar në komisariat babain e 15-vjecarit. Ky i fundit ndodhet në spilatin e traumës jashtë rrezikut për jetën. Ai kishte marrë 3 plumba, 1 në shpatullë dhe 2 në krah.

Klan News