Gjashtë vatra aktive zjarri vijojnë në të gjithë vendin. Në raportin e fundit të bërë publik nga ministria e Mbrojtjes thuhet se në 24 orë janë regjistruar 39 vatra zjarri, ku 33 prej tyre janë shuar.
Vatra aktive ka në zonën pyjore Bode, në Bashkinë Maliq, fshatin Skuraj në Kurbin, Mali i Kakarriqit dhe Gjadër në Lezhë, Zvalinë në Elbasan dhe fshatin Kus në Tiranë.
Nga të dhënat e Agjencisë Kombëtare të mbrojtjes Civile, vatrat nuk paraqesin rrezik për zonat e banuara. Për shuarjen e plotë të tyre janë duke punuar strukturat e pushtetit vendor, të mbështetura nga ato në nivel qendror.
Gjatë operacioneve për vënien nën kontroll të flakëve në 39 vatrat morën pjesë 1400 forca operacionale me 75 mjete si dhe helikopteri Cougar.
Ministria e Mbrojtjes bën sërish thirrje qytetarëve të raportojnë në kohë në numrat e emergjencave për çdo problematikë, pasi situata mund të parandalohet para se flakët të dalin jashtë kontrolli. Autoritetet rikujtojnë sërish se kodi penal parashikon dënim për personat që ndezin zjarr dhe shkaktojnë pasoja të mëdha.
Dy prej tyre janë vënë në pranga nga policia. Në Shijak u arrestua një 38-vjeçar, pasi dyshohet se ka ndezur zjarr për të djegur disa shkurre dhe si pasojë e përhapjes së flakëve janë djegur një sipërfaqe toke dhe 1 mijë peme ulliri.
Ndërsa në Shkodër u arrestua një 64-vjeçar nga fshati Mali i Gjymtit. Policia e akuzon pasi ka ndezur zjarr në fshatin Pentar dhe nga përhapja e flakëve janë djegur një sipërfaqe toke e mbjellë me pemë frutore, një stallë bagëtish dhe disa koshere bletësh. Dy të arrestuarit akuzohen për veprën penale “Shkatërrim i pronës me zjarr”.
Klan News