Ideja e bërë publike në fundjavë për krijimin e një shteti Bektashi brenda Shqipërisë, nën modelin e ngjashëm të Vatikanit, ka ngjallur shumë diskutime dhe ka zënë hapësirë mediatike.

Por sa e mundur është një gjë e tillë? Juristi Arlind Ahmetaj, i ftuar në emisionin Opinion në Tv Klan, ka bërë paralelizma me shtete të tjera të ngjashme.

“Lajmi m’u duk shumë i çuditshëm. Përgjithësisht ka patur marrëveshje dypalëshe me shtetin unitar në atë rast. Dhe në rastin e Vatikanit është firmosur një marrëveshje mes Papës dhe Musolinit në 1929. Ka një lloj simetrie se si këto shtete janë formuar. Konteksti historik është tërësisht i ndryshëm. Marrëveshja me Vatikanin lidhet me të drejtën e territorit, ka të drejta sa i përket administrimit të brendshëm. Megjithatë Vatikani deri në 2008 miratonte automatikisht legjislacionin italian. Ndryshimi erdhi si pasojë e nismave të reja që quhen pro jetës, siç është aborti, dhe u vendos të ndërpritej miratimi automatik i legjislacionit. Vatikani ka një trupë mbrojtjesh zvicerane për Papën. Kanë pasaporta. Edhe te rasti i San Marinos është pak a shumë e ngjarjes me Monakon. Ka qenë e ndarë para unifikimit të Italisë dhe më pas qëndroi e ndarë”.

Juristi shpjegon se Shqipëria duhet të ndryshojë Kushtetutën nëse do të ketë një shtet Bektashi brenda shtetit.

“Dispozita e nenit 1 është që shteti shqiptar është unitar dhe i pandashëm. Në këtë rast flitet për një shtet të pavarur, është përmendur Vatikani si krahasim. Nëse do ketë kufij, do duhet të ketë ndryshime kushtetuese. Fillimisht duhet ndryshuar Kushtetuta, dy dispozita do duhet të rishikohen. Ndryshimi i Kushtetutës në Parlament është forma e parë. Çdo ndryshim kushtetues shkon për miratim te Presidenti”.

Propozimi për krijimin e shtetit Bektashti në Shqipëri u bë publik në fundjavë në gazetën amerikane New York Times, ku citonte deklaratë të Kryeministrit Edi Rama dhe Baba Mondit.

/tvklan.al