Ekspertët po paralajmërojnë rrezikun nga ngrënia me tepricë e patateve të skuqura dhe patatinave, pasi një adoleshent humbi në mënyrë të përhershme shikimin.
Një 17-vjeçar nga Bristol, në Britaninë e Madhe, dëmtoi kaq shumë shikimin sa u verbua, pasi prej kohësh hante vetëm patate të skuqura, Pringles (patatina) dhe bukë të bardhë. Me raste ai hante edhe ndonjë fetë proshutë apo salçiçe.
Testet treguan se ai kishte mungesë të theksuar vitaminash dhe dëmtime nga kequshqyerja.
Sipas asaj që shkruan BBC, adoleshenti kishte shkuar tek mjeku në moshën 14-vjeçare për shkak se ndihej i lodhur dhe jo mirë. Në atë kohë ai u diagnostikuar me mangësi vitamine B12 dhe iu dhanë suplemente. Por ai nuk i qëndroi trajtimit të dhënë nga mjeku dhe as nuk e përmirësoi dietën e tij ushqimore.
Tre vjet më vonë, adoleshenti u dërgua në spitalin e syve të Bristol, për shkak të humbjes progresive të shikimit.
Dr Denize Atan, që e trajtoi atë në spital tha: “Dieta e tij ishte praktikisht një sasi patatesh të skuqura, që e merrte çdo ditë në një dyqan pranë shtëpisë. Ai hante gjithashtu patatina dhe ndonjëherë feta buke e proshutë, por asnjë frut apo perime. Sipas tij arsyeja ishte faktin se stomaku nuk i toleronte shumë ushqime, kështu që patatet dhe patatinat ishin e vetmja gjë, që ai donte dhe ndjente se mund të hante”.
Dr Atan dhe kolegët e saj rikontrolluan nivelin e vitaminave në trupin e të riut dhe zbuluan se ai kishte mangësi të vitaminave B12, ashtu sikurse disa vitamina të tjera të rëndësishme, si dhe minerale, si bakër, selen dhe vitaminë D.
Gjendja me të cilën u diagnostikua i riu e quajtur neuropatia optike ushqyese, sipas ekspertëve është e trajtueshme nëse diagnostikohet herët. Nëse neglizhohet për një kohë të gjatë, fibrat nervore në nervat optikë vdesin dhe dëmtimi bëhet i përhershëm.
Dr Atan thotë se raste të tilla fatmirësisht janë tepër të rralla, megjithatë ajo u bëri thirrje prindërve që të bëjnë kujdes dhe të kërkojnë ndihmën e ekspertëve nëse fëmijët e tyre hanë vetëm ushqime të caktuara./tvklan.al