Një grua e fajësuar nga gjykatat franceze për divorcin e  saj sepse nuk kryente më marrëdhënie me të shoqin, ka fituar apelin në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut duke rindezur debatin në Francë për të drejtat e grave.

Gruaja me iniciale H.W., e lindur më 1955 e dërgoi çështjen e saj në gjykatë në vitin 2021 pas rraskapitjeve ligjore në Francë për rreth një dekadë pas divorcit.

Gjykata Europiane vendosi që gjykatat franceze kishin dhunuar të drejtën e saj për të respektuar jetën private dhe familjare.

“Në rastin e paraqitur, Gjykata s’mund të identifikonte asnjë arsye të mundshme për të justifikuar këtë ndërhyrje të autoriteteve publike në hapësirën e seksualitetit”, shkruhet në një deklaratë.

Avokatja e francezes shpjegoi se ky vendim nuk ka asnjë ndikim në divorcin e klientes së saj, i cili është përfundimtar. Megjithatë, ajo tha se do të ndikojë në ligjin francez duke i ndaluar gjykatësit që të marrin vendime të ngjashme në të ardhmen për divorcet.

H.W., u martua me të shoqin në vitin 1984 dhe bëri 4 fëmijë me të, kërkoi divorcin por kundërshtoi që të ishte fajtore për këtë fakt duke thënë se ishte një ndërhyrje e padrejtë në jetën e saj private dhe dhunim i integritetit fizik.

Ajo përmendte problemet shëndetësore dhe kërcënimet për dhunë nga i shoqi si arsye pse nuk kishte kryer marrëdhënie intime që prej vitit 2004 e në vazhdim. Fakti që një prej fëmijëve të tyre është me aftësi të veçanta mendore dhe fizike ishte stres i shtuar në këtë martesë.

Gruaja nga Le Chesnay pranë Parisit, tha se ishte traumatizuar thellë nga vendimi që “legjitimonte një mjedis familjar ku privatësia dhe dinjiteti i grave injorohen dhe shtrembërohen”.

Vendimi i gjykatës vjen pak pas valës së madhe të çështjes Gisele Pelicot, ish-bashkëshorti i së cilës u dënua për drogimin dhe lejimin e abuzimit të saj nga dhjetëra meshkuj për 10 vjet. Çështja tronditi botën, ndezi debate në Francë për të drejtat e grave dhe e ktheu Gisele Pelicot në një ikonë për feminizmin./tvklan.al