Ish-futbollisti i Kombëtares, Adrian Aliaj, komentoi në Klan News, grupin e Shqipërisë në kualifikueset e Botërorit, që vendosi kuqezinjtë përballë Serbisë, Anglisë, Letonisë dhe Andorrës.
Alija tha se Serbia nuk duhet të ishte pjesë e këtij grupi, pasi sipas tij, për ta ndeshja me Shqipërinë shkon jashtë futbollit.
Ndër të tjera, Alija tha se nuk ekziston paqe mes shqiptarisë dhe serbëve, duke shtuar më tej se është absurde të flasësh për një kualifikim në Botëror në këtë grup.
“Është e vështirë të bësh parashikime. Serbia nuk duhet të ishte në grupin tonë. Për anën sporitve dhe atë politike. Ndeshja e tyre me Shqipërinë, nuk është normale, është diçka jashtë futbollit. Nuk ka ndryshuar asgjë në këto 10 vite.
Nuk ekziston paqe mes shqiptarisë dhe serbëve. Do jetë ndeshje e tensionuar, me urrejtje. Ndeshje e vështirë për tu luajtur. Ata kanë kualitet të na rrahin në Shqipëri dhe në Serbi. Duhet të jemi realistë. Nëse flasim për grupin, nuk ka të lehtë. Nuk jemi akoma aty sa ta përballojmë një grup të tillë.
Ne nuk krahasohemi fare me Serbinë nga ana e lojtarëve. Është e kotë që të futemi në këtë bisedë. Janë më të mirë. Janë shumë herë më të mirë se ne. Në këtë moment të flasësh për një kualifikim është absurde. Nuk më pëlqeu që Silvinjo tha se çdo ndeshje është finale. Nuk duhet presion për lojtarët. Duhen përballuar të tilla ndeshje.
Me Serbinë janë gjëra atë tjera. Është urrejtja. Ata duan të na rrahin me patjetër. Do e shikojmë kur të vijë ajo ndeshje. Ne duhet të tentojmë dhe të fitojmë ato që duhet. Gjërat e tjera i kemi bonuse.”, u shpreh Aliaj.
Shqipëria u vendos në Grupin K, së bashku me Anglinë, Serbinë, Andorrën dhe Letoninë. /tvklan.al