Shqipëria po rekomandohet çdo ditë e më shumë për turistët britanikë. Në një artikull të saj, e përditshmja britanike “Travel Radar” u drejtohet lexuesve të saj se është koha të vendosni Shqipërinë në radarin tuaj nëse jeni në kërkim të një vendpushimi mahnitës dhe me çmim të arsyeshëm.
Me fluturimet direkte dhe të lira nga Londra në Tiranë, sipas kësaj gazete, bëhet më e lehtë se kurrë zbulimi i kësaj perle ballkanike. Tirana konsiderohet në këtë artikull si një zgjedhje e përshtatshme për një pushim të gjatë veror ose një pushim në fundjavë. Tirana, një qytet në zhvillim, është një ndërthurje e kafeneve moderne, arkitekturës dhe jetës së gjallë të natës, thuhet në këtë artikull.
Shqipëria, sipas “Travel Radar” po fiton popullaritet në mënyrë të vazhdueshme dhe po krahasohet me fqinjët e saj më të njohur mesdhetarë, megjithëse çmimet janë shumë më të ulëta. Nuk është për t’u habitur që turistët kanë filluar t’i kushtojnë vëmendje vendit ballkanik duke pasur parasysh kombinimin e plazheve të pacenuara, fshatrave nga epoka osmane dhe kuzhinës së shijshme.
Plazhe të bukura pa turma vizitorësh, shkruan gazeta britanike. Edhe pse nuk është prekur ende nga turizmim masiv, Riviera Shqiptare është e krahasueshme me brigjet e Greqisë dhe Kroacisë.
Kjo revistë rekomandon qytetarët britanikë të eksplorojnë bukurinë e pacënuar të plazhit të Gjipesë, një liman të fshehur, rrethuar nga shkëmbinj të lartë, ose të udhëtojnë në Ksamil, një parajsë me plazhe me rërë të bardhë dhe ujëra bruz. Historia dhe thesaret kulturore të vendit tonë kanë tërhequr gazetën britanike, e cila rekomandon vizitën në Berat, “Qytetin i një mbi një dritareve”, deri te rrënojat e listuara në UNESCO të Butrintit, një qytet i lashtë grek dhe romak. Shqipëria është një parajsë për adhuruesit e histories, thuhet në këtë artikull.
Shqipëria është pozicionuar si një ndër destinacionet më emocionuese këtë verë falë peisazheve të saj mahnitëse, vendasve miqësorë dhe fluturimeve me çmime më të arsyeshme se kurrë më parë.
Klan News