Reperi Akon zbulon planet e tij për ndërtimin e një qyteti futuristik frymëzuar nga filmi “Pantera Zezë”.
Reperi afro amerikan Akon, së fundmi ka thënë se planifikon ndërtimin e një qyteti të frymëzuar nga Wakanda. Projekti mendohet se kushton afërsisht 6 miliardë dollarë dhe do të ndërtohen në Senegal.
Këngëtari, është shprehur për një konferencë për shtyp të hënën, se u hodh guri i parë për ndërtimin e këtij qyteti në fshatin Mbodiene, 100 kilometra larg kryeqytetit Dakar.
Akon City do të ofrojë hotele, një universitet, qendra biznesi, kazino, studio filmike, të gjitha të dizejnuara nga arkitekti Hussein Bakri. Gjithashtu nuk do të mungojnë skulpturat afrikane për të përfaqësuar kulturën e vendit dhe nxitur identitetin kombëtar.
Arsyeja pse reperi zgjodhi ta krijonte erdhi sepse ndërkohë që rritej në New Jersey, ku ai u zhvendos në moshën 7-vjeçare, u njoh me shumë afro amerikanë, të cilët nuk kuptonin kulturën dhe prejardhjen e tyre.
“Unë dua që ky të jetë një vend që do t’i motivojë ata, të hulumtojnë më shumë dhe të dinë çfarë ofron vendlindja. Nëse diaspora kudo nëpër Amerikë, Europë, botë një ditë vendos të vizitojë Afrikën, unë kërkoj që Senegali të jetë ndalesa e parë për ta”, është shprehur 47-vjeçari.
“Të gjithë investitorët, të mëdhenj apo të vegjël, janë të mirëpritur të kontribuojnë”, tha Akon.
Qyteti mbulon një sipërfaqe prej 55 hektarësh, me një ishull artificial dhe port jahtesh. Sipas parashikimeve të arkitektit Bakri, popullsia mund të arrijë 300,000 banorë. Është thënë se monedha që do të qarkullojë do emërohet sipas vet reperit dhe do të quhet Akoin./tvklan.al