Dëmet u kushtojnë 21 milionë Euro kompanive

Shoqëritë e Sigurimit duhet të paguajnë 21 milionë euro për dëmet që shkaktoi tërmeti i 26 Nëntorit. Në një intervistë për Televizionin Klan, Pranvera Berberi, drejtore e Statistikave pranë Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare thotë se pjesa 19 milionë euro nga kjo shumë është e siguruar te kompanitë e risigurimit dhe nuk krijon probleme për likuiditetin e tregut.

Deri tani shoqëritë kanë vlerësuar dëmet e shkaktuara te të gjitha banesat e siguruara dhe po vazhdojnë me procesin e kompensimit.

Numri i kontratave të sigurimit të pronës nga katastrofat është rritur ndjeshëm në dy muajt e fundit të vitit 2019, pas tërmetit të 26 Nëntorit. Qytetarët kanë paguar 4.2 milionë euro për sigurimin e pronave, nga 3.3 milionë euro që ishin primet e kësaj kategorie në këtë periudhë.

Për Nëntorin dhe Dhjetorin, janë lidhur 8 177 kontrata për sigurinë nga zjarri dhe katastrofat, ku përfshihen edhe dëmet e tërmetit, një rritje me 2 mijë kontrata më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2018.

Numri i pagesave të dëmeve për kompanitë e sigurimit është rritur me 990% krahasuar me një vit më parë. Në fund të 2019-s kompanitë kanë zhdëmtuar 1760 subjekte, nga 165 që janë kompensuar një vit më parë.

Sipas Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, kjo shifër lidhet më tepër me dëmet e tërmetit të 21 Shtatorit, ndërsa zhdëmtimet e tjera për Nëntorin janë në proces dhe pritet që numri të jetë më i lartë.

Tv Klan