Trajneri Ruben Amorim mendon se mungesa e sukseseve të Manchester United në vitet e fundit është një faktor që ka kontribuuar në problemet financiare të klubit të Premier League.

Tekniku portugez deklaroi se është e rëndësishme që skuadra të përmirësohet sa më shpejt të jetë e mundur.

Së fundmi drejtuesit e “Djajve të kuq” njoftuan se do të shkurtojnë nga 150 deri në 200 vende pune, si pjesë e një politike për të rikthyer bilancet pozitive pas pesë viteve zhgënjime.

Në vitin e kaluar, 250 perosna të tjerë humbën punën në klubin anglez. Që pas ardhjes së aksionierit Jim Ratcliffe, i cili bleu 25% të aksioneve, në klub ka nisur procesi i ristrukturimit.

 “Ne duhet të adresojmë të gjitha problemet në klub, por një pjesë e rëndësishme është se si u gjendëm në këtë situatë. Ka të bëjë shumë me mungesën e suksesit të ekipit. Ne jemi motori i klubit! Unë dua të ndihmoj ekipin, të ndihmoj lojtarët dhe suksesin. Është gjithmonë e vështirë për të gjithë! Ata shohin miqtë dhe shokët e tyre të humbin vendet e punës. Ndërsa unë duhet të përqendrohem në atë që mund të bëj për të ndihmuar klubin në këtë moment dhe ne si klub duhet të kuptojmë se çfarë kemi gabuar për të qenë në këtë situate”, tha Ruben Amorim, trajneri i Manchester United.

Në këtë sezon, paraqitja e ekipit ka qenë mjaft negative. United gjendet në vend të 15 në renditjen e Premier League, ndërsa ka 3 sfida radhazi pa fituar në kampionat.

Amorim tha se në të tillë situatë për “Djajtë e kuq” është bërë e vështirë që të fitojnë ndeshje futbolli.

Sfida e radhës e United do të jetë në mbrëmjen e së mërkurës kundër Ipswich Town në “Old Trafford”.

Klan News