Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka pezulluar nga detyra tre punonjës të Policisë Kufitare në Pogradec për kryerjen e veprave penale “Falsifikim i dokumentave” dhe “Shpërdorimi i detyrës”.

Në njoftimin e AMP bëhet e ditur se është pezulluar N/Komisar I. T., me detyrë Specialist Shërbimi në Stacionin e Policisë Kufitare Pogradec, inspektor K. L., me detyrë Trupë Shërbimi në Stacionin e Policisë Kufitare Pogradec si dhe Inspektor F. I., me detyrë Trupë Shërbimi në Stacionin e Policisë Kufitare Pogradec, në DVKM Korçë.

Ky vendim mësohet se ka ardhur pas dyshimeve se këta punonjës policie, edhe pse kanë konstatuar personat E.P. dhe L.E. duke kryer peshkim të ndaluar në liqenin e Ohrit kanë favorizuar aktivitetin e kundraligjshëm.


Njoftimi i AMP:

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Elbasan-Korçë) ka zbatuar urdhrin e Prokurorisë për ekzekutimin e vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, e cila ka caktuar masën e sigurisë “Pezullimi i ushtrimit të një detyre ose funksioni publik”, ndaj 3 punonjësve të policisë, të dyshuar për kryerjen e veprave penale “Falsifikim i dokumentave” dhe “Shpërdorimi i detyrës”.

– N/Komisar I. T., me detyrë Specialist Shërbimi në Stacionin e Policisë Kufitare Pogradec, në DVKM Korçë;

– Inspektor K. L., me detyrë Trupë Shërbimi në Stacionin e Policisë Kufitare Pogradec, në DVKM Korçë;

– Inspektor F. I., me detyrë Trupë Shërbimi në Stacionin e Policisë Kufitare Pogradec, në DVKM Korçë

Vendimi i gjykatës, erdhi mbi bazën e materialeve të referuara nga Drejtoria Rajonale e AMP-së Korçë, pas dyshimeve të arsyeshme se këta punonjës policie, edhe pse kanë konstatuar më datë 28.12.2024 shtetasit E.P. dhe L.E. duke kryer peshkim të ndaluar në liqenin e Ohrit, me veprime dhe mosveprime, kanë favorizuar aktivitetin e kundraligjshëm të këtyre shtetasve, me dyshime përfitimi.


/tvklan.al