Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka arrestuar në flagrancë një punonjës policie si dhe ka pezulluar nga detyra dy punonjës të tjerë.
Në njoftimin e AMP bëhet e ditur se ka arrestuar në flagrancë , Inspektorin me iniciale S. K., punonjës i policisë kufitare në DVKM Gjirokastër, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”.
Gjithashtu Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka pezulluar nga detyra 2 punonjës policie, të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, konkretisht inspektor L. K., me detyrë Ndihmës Kontrollor në P.K.K. Kakavijë dhe Inspektor O. B., me detyrë Ndihmës Kontrollor në P.K.K. Kakavijë.
Njoftimi i AMP:
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Vlorë – Gjirokastër) ka arrestuar në flagrancë punonjësin e policisë, Inspektor S. K., punonjës i policisë kufitare në DVKM Gjirokastër, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”.
Punonjësi i policisë gjatë drejtimit të mjetit tip “Seat”, është përplasur me një automjet tjetër ku si pasojë kanë mbetur të dëmtuar pasagjerët e mjetit Opel, shtetasja A. R. dhe shtetasi i mitur G. R., të cilët pas marrjes së ndihmës së parë mjekësore janë larguar për në banesë dhe ndodhen jashtë rrezikut. Nga verifikimi me testin matës të alkolit rezultoi pozitiv.
Gjithashtu Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Vlorë – Gjirokastër) ka zbatuar urdhrin e Prokurorisë për ekzekutimin e vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, e cila ka caktuar masat e sigurisë me karakter ndalues “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” për 2 punonjës policie, të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”;
-Inspektor L. K., me detyrë Ndihmës Kontrollor në P.K.K. Kakavijë,
-Inspektor O. B., me detyrë Ndihmës Kontrollor në P.K.K. Kakavijë
Nga hetimet e thelluara dhe intensive nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, u bë i mundur dokumentimi dhe sigurimi i provave mbi dyshimet se këta punonjës policie kishin lejuar kalimin në territorin e Republikës së Shqipërisë të automjetit të markës “Toyota Avensis” pa dokumentacionin përkatës, duke mos ndjekur procedurat ligjore me qëllim trafikimin.
/tvklan.al