Donald Trump zgjidhet Presidenti i ri i SHBA-ve, dhe politikat ndërkombëtare dhe ekonomike priten të njohin ndryshime. Betimi i tij do të mbahet më 20 Janar 2025, në atë që quhet “Inauguration Day”, kur me betimin mbi Bibël në Capitol Hill në një ceremoni solemne, shënon edhe kalimin e pushtetit tek Presidenti i 47-të i SHBA-ve.  

Por çfarë do të ndryshojë ndërkombëtarisht nga ardhja në pushtet e Trump. Sipas analizave, natyrisht që ndikimi mund të jetë i dukshëm, kryesisht në Evropë, në çështjet e sigurisë, ndihmat në Ukrainë dhe tarifat ekonomike. Së pari lufta në Ukrainë mund të jetë vërtetë drejt fundit. Një skenar mund të jetë edhe një mbyllje në tavolinë, bllokim të furnizimeve me armatime, ku SHBA në administratën Biden ishin në krye të listës me mbi 50 %.

Vizioni i Trump mbi ekonominë ka qenë gjithnjë shumë i qartë, të rikthehet Amerika me fuqi ekonomike. Kjo do të thotë se ai do të ndjekë një politikë protecioniste, duke ngritur tarifat tregtare deri në 10% për importet me të gjitha vendet, dhe deri në 60% me Kinën.

Aktualisht SHBA-të janë partneri kryesor komercial i BE-së, dhe tregtia mes partnerëve është më shumë se dyfishuar gjatë dhjetëvjeçarit të fundit, për një total prej rreth 870 mld euro në vitin 2022.

Një tjetër çështje do të jetë edhe kontributi në Aleancën Veri Atlantike, ku Trump gjithnjë ka këmbëngulur që të respektohet nga të gjithë anëtarët kontributi me 2% të PBB për NATO-n.

Sot në ditën e rezultatit, ndikimi i fitores së tij është ndjerë menjëherë, pasi efekti ka qenë i drejtpërdrejtë në bursa, me rritje të dollarit dhe ulje të monedhës evropiane.

Klan News