Në emisionin Historia e Fundjavës në Klan Plus është trajtuar historia e Joelit 3-vjeçar. Vogëlushi ka tumor në sy dhe gjendja e tij shëndetësore sa vjen e rëndohet. Familja Pere jeton në fshatin Grunjas në Pogradec. Joeli është i prekur nga tumori në sy.
Në njërin prej tyre ka humbur shikimin. E kanë kuptuar para një muaji. Dy javë më parë e dërguan edhe në spital ku mjekët i kanë thënë që duhet t’i nënshtrohet urgjent një operacioni.
Në Shqipëri nuk janë mundësitë për ta bërë ndërhyrjen dhe realizohet vetëm jashtë vendit. I ati prej disa muajsh ka nisur punë në bashki si punonjës në rrugë.
Prindërit nuk kanë asnjë lloj tjetër të ardhurash, veç rrogës 200 mijë Lekë. Kanë menduar edhe shtëpinë ta nxjerrin në shitje, por është shumë e vështirë që dikush ta blejë si pasojë e zonës së thellë ku jetojnë.
Drejtuesja e emisionit, Mirela Milori, dhe drejtuesi i Fundjavë Ndryshe, Arbër Hajdari, kanë bërë thirrje dhe apel për këdo që dëshiron të ndihmojë që Joeli t’i nënshtrohet operacionit jashtë vendit. /tvklan.al