Ish-kryebashkiaku fajëson Drejtorinë e Punëve Publike për tenderin

Gjykata lë në burg ish-kryetarin e Bashkisë së Lushnjes dhe të arrestuarit e tjerë për abuzimet me fondet publike në këtë qytet.

Për të dalë nga burgu, ish-kryebashkiaku Fatos Tushe ka drejtuar gishtin drejt Flamur Peqinit, të arrestuarit tjetër për të njëjtën çështje që mbante postin e Drejtorit të Punëve Publike.

Në seancën që u zhvillua në Gjykatën e Apelit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, Tushe tha se përgjegjësia ligjore për fituesin e tenderit të kanalit vaditës nuk ishte e tij. Para gjykatës, ai foli edhe për problemet shëndetësore që kishte.

“Nuk kam patur asnjë autoritet mbi tenderin, nuk kam qenë kryetar dhe as ent prokurues. Ka qenë drejtoria e punëve publike, nuk ka qenë Bashkia e Lushnjës. Ndryshoni masën e sigurisë, sepse s’ka dyshime të arsyeshme dhe për shkak të gjendjes shëndetësore shumë të rënduar që kam”.

Tushe pranoi se kishte njohje me biznesmenin Ibrahim Lami i cili fitoi tenderin 240 milionë Lekë që i çoi të gjithë drejtuesit e bashkisë në burg, por ka mohuar bashkëpunimin me të në aferën korruptive.

Bashkë me të Gjykata ka lënë në burg edhe drejtorin e Punëve Publike, Flamur Peqini, si dhe 5 nëpunësit dhe biznesmenët e përfshirë në këtë aferë. Apeli ka konfirmuar masën e arrestit në shtëpi për 4 nëpunësit e tjerë.

Zyrtarët e Bashkisë së Lushnjës kishin pasur informacion për hetimet e SPAK, por sipas bisedave telefonike mes njeri-tjetrit ata ishin të qetë, se Fatos Tushe kishte rregulluar gjithçka.

Veç abuzimit me tenderin, dosja përfshin edhe përgjime, ku Fatos Tushe ka shpërdoruar edhe tollonat e naftës së bashkisë duke furnizuar me karburant automjete të personave që nuk janë punonjës të bashkisë, por miq dhe të njohur të tij.

Tv Klan