LAJM NË PËRDITËSIM

Prej orëve të mbrëmjes të së mërkurës, Prokuroria e Posaçme po zhvillon një operacion të gjerë, që deri më tani ka çuar në pranga të paktën 6 persona. Mes tyre sipas gazetares së Klan News, Glidona Daci, janë edhe zyrtarë të policisë, prokurorisë dhe një biznesmen.

Gjithnjë sipas informacioneve të deritanishme, në pranga kanë rënë ish-drejtuesi i Operacionales, Oltion Bistri, i shkarkuar nga detyra vetëm pak ditë më parë, drejtuesi i Prokurorisë së Kukësit, Xhevahir Lita, biznesmeni Pëllumb Gjoka dhe shoqëruesi i tij Edmond Preka.

Mes të arrestuarve po ashtu është edhe Astmer Bilali, i arrestuar në 2018-n si pjesë e grupit “Bajri” në Shkodër.

Në pranga raportohet të ketë rënë edhe Ardit Hasanbegaj, ish-shef për Krimet në Berat, i përjashtuar nga radhët e policisë një vit më parë, pas zbulimit të serave me kanabis në fshatin Drenovicë të Beratit.

Po në kuadër të këtij operacioni, gazetarja Daci thotë se në kërkim është shpallur edhe Ervis Martinaj, pasi akuzohet si porositës i disa vrasjeve në zonën e Shkodrës. Kujtojmë se i shumëkërkuari Martinaj rezulton i zhdukur prej Gushtit të vitit të shkuar dhe fati i tij nuk dihet ende. Po ashtu, ky është urdhërarresti i dytë që SPAK lëshon për të. I pari u lëshua pas dëshmisë së bashkëpunëtorit të drejtësisë Nuredin Dumani, sipas së cilit Martinaj do ta paguante 500 mijë euro për të vrarë Indrit Doklen.

Ndërkohë në kërkim është shpallur Eljon Hato, i konsideruar si krahu i djathtë i Martinajt. Një tjetër person gjithashtu i shpallur në kërkim është Behar Bajri.

Janë të paktën 15 urdhërarreste të lëshuara nga Prokuroria e Posaçme. Akuzat janë disa, mes të cilave organizatë kriminale, grup i strukturuar kriminal, kryerja e veprave penale në organizata kriminale, shpërdorim detyre, korrupsion, e deri te vrasje. Megjithatë siç thekson gazetarja Daci këto janë të dhëna paraprake, ende të pa konfirmuara zyrtarisht nga SPAK.



Arrestimet, sipas gazetares, kanë ardhur pas zbërthimit të aplikacionit “Sky” nga autoritetet franceze dhe SPAK-ut i janë vënë në dispozicion një sërë dokumentesh, provash dhe faktesh që i lidhin ata drejtpërsëdrejti me disa vepra të ndryshme penale.

Sipas gazetares, operacioni është shtrirë në disa qytete, si Tiranë, Shkodër, Kukës, Durrës, etj.

Një reagim për këtë operacion e pati Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, i cili tha se janë arrestuar “eksponentë të krimit të organizuar, zyrtarë të Policisë së Shtetit si edhe prokurorë të implikuar me krimin” (Lexo më shumë).

Olti Bistri u largua nga drejtimi i Operacionales një javë më parë dhe aktualisht mbante detyrën e specialistit në Drejtorinë e Krimeve në Volum. Më herët ai mbajti detyrën e drejtorit të policisë së Durrësit e Lezhës, por edhe të shefit të komisariatit nr 2 në Tiranë.

Xhevahir Lita e mbante detyrën e Prokurorit të Kukësit që prej vitit 2021. Më herët ai mbante detyrën e prokurorit në Prokurorinë e Tiranës.

Ndërsa emri i biznesmenit Pëllumb Gjoka është lakuar në të shkuarën për tjetërsim të pronave në zonën e Velipojës. Akuza ndaj tij ka pasur edhe nga kryedemokrati Sali Berisha. Ky i fundit, teksa fliste për rezultatin e zgjedhjeve të 14 Majit në Shkodër, e akuzonte Gjokën si një prej personave që ka mbajtur “nën pushtim” qendrat e votimit në Velipojë (Lexo më shumë)./tvklan.al