Në mbrëmjen e sotme, Atalanta e Berat Gjimshitit do të kërkojë që të bëjë mrekullinë. Pas triumfit në Dublin më 22 Majin e kaluar, bergamaskët do të luftojnë në Varshavë për trofeun e Superkupës së Europës kundër Real Madridit, fituesit të Ligës së Kampioneve.
Gasperini nuk do të ketë në dispozicion Skalvinin, Skamaka-n dhe Zaniolon. Trajneri i Atalantës beson se skuadra e tij mund të dhurojë një tjetër surprizë.
“Ne e dimë që kjo ndeshje do të jetë e vështirë, duke luajtur kundër ekipit më të titulluar në botë. Por ne do të dalim atje dhe do të tregojmë gjithë krenarinë tonë, stilin tonë të lojës në fushë dhe do të bëjmë gjithçka që dimë, që të luajmë një ndeshje të madhe. Në letër shanset më të mëdha i kanë ata, por kjo na bën edhe më të motivuar. Rrallë ndodh, por ka raste që triumfon edhe ekipi më pak favorit.”
Atalanta fitoi Ligën e Europës duke mundur në finale Bajer Leverkusen 3-0. Në këtë finale mund të bëjë debutimin edhe Kilian Mbape te Reali.
Por trajneri Karlo Ançeloti refuzon të tregojë nëse sulmuesi francez do ta nisë titullar.
“Mbape është në një formë të mirë, ashtu si edhe lojtarët e tjerë që u bashkuan javën e kaluar. Ne nuk kemi pasur shumë kohë për të stërvitur, por të gjithë po bëjmë shumë mirë. Trajneri i Atalantës, Gasperini ka mjaft përvojë. E kam mik! Ne kemi punuar së bashku te Juventusi, kemi bërë kursin e trajnerit bashkë. Taktikisht, ai është një trajner shumë i mire! Atalantës i mungojnë lojtarët, por mendoj se do të jetë një ndeshje e vështirë.”
“Los Blankos’, të cilët kanë fituar pesë Superkupa deri më tani, kanë një shans për të vendosur rekord në këtë kompeticion, duke shkuar një trofe më shumë se sa Milani dhe Barcelona.
Klan News