Trajneri i Atalantës, Gian Piero Gasperini ishte i ashpër me Ademola Lookman, pas humbjes 3-1 ndaj Club Brugge, që solli edhe eliminimin nga Champions League.
Ndonëse sulmuesi shënoi golin e vetëm, trajneri e akuzoi për humbjen e penalltisë, duke thënë se nuk duhej ta gjuante ai.
Në një reagim të bërë, Lookman e quajti si mungesë respekti ndaj tij, duke thënë se pavarësisht vështirësive që ka pasur në Bergamo, nuk ka folur kurrë.
“Është trishtuese që duhet të shkruaj këtë mesazh në një ditë si kjo, veçanërisht për atë që kemi arritur të gjithë së bashki, si ekip dhe si qytet. Të jesh në shënjestër në këtë mënyrë, jo vetëm që më lëndon, por edhe më duket mungesë respekti, për punën e vështirë dhe të madhe, si dhe për përkushtimin që kam bërë çdo ditë për të kontribuar në suksesin e klubit.
E vërteta është që jam përballur me vështirësi të mëdha gjatë kohës sime në Bergamo, por nuk kam folur kurrë. E kam bërë këtë, sepse skuadra është e para dhe mbrohet gjithmonë. Kjo është arsyeja përse ajo që ndodhi mbrëmë ishte e dhimbshme. Ashtu si tifozët edhe ne po e vuajmë këtë eliminim. Megjithatë do mundohem që dhimbjen ta kthej në fuqi”, shkruan Lookman në reagimin e tij.
Klimë aspak e qetë tek Atalanta, e cila mund të ndikojë edhe në vazhdimësinë e sezonit, me skuadrën që tani fokusin e ka tek kampionati.
/tvklan.al