Të tjera detaje dalin në dritë pas tentativës për vrasjen e Donald Trump, i cili fatmirësisht shpëtoi me një lëndim të lehtë.
Media amerikane Fox News raporton se Shërbimi Sekret ishte informuar për një person të dyshimtë në zonë. Ata ishin vënë në dijeni 1 orë përpara nisjes së tubimit elektoral se në zonën ku do të mbahej aktiviteti, një person i dyshimtë ndodhej aty.
Agjentët amerikanë e kishin etiketuar 20-vjeçarin Thomas Matthew Crooks si një kërcënim përpara se të ngjitej në podium ish-Presidenti Donald Trump.
Kjo konfirmohet edhe nga disa pamje të reja të publikuara nga televizioni amerikan “Action News 4”. Në këto pamje duket 20-vjeçari që bënte ecejake në zonë 1 orë para se të niste tubimi elektoral i Trump në Pensilvani.
“Ai u etiketua si një person i dyshimtë sepse kishte në dorë një pajisje matëse si ato që përdorin snajperistët për të përllogaritur distancat dhe një çantë shpine. Kjo ishte 1 orë përpara të shtënave. Dikush duhet ta ndiqte dhe nuk duhet ta humbiste nga sytë. Por kjo nuk ndodhi kurrë”, deklaroi senatori amerikan Barroso pasi u informua përmes një raporti nga zyrtarë të Shërbimit Sekret mbi atë çfarë kishte ndodhur.
Sipas senatorit, përgjegjësi i Shërbimit Sekret në tubimin e Trump në Pensilvani ishte duke biseduar me oficerë të policisë lokale kur 20-vjeçari qëlloi me armë ndaj Trump. I njëjti agjent, raportohet se më pas telefonoi Drejtoreshën e Përgjithshme të Shërbimit Sekret për t’i dhënë dorëheqjen.
/tvklan.al