Zbuten gradualisht masat e izolimit
Duke nisur nga java e ardhshme, në Austri do të zbuten gradualisht masat kundër koronavirusit. Në një konferencë për shtyp gjatë kësaj jave, kancelari Zebastian Kurc tha se duke nisur nga e hëna do të nisë rihapja e dyqaneve dhe disa shërbimeve të tjera. Në varësi të situatës do të hapen më pas edhe qendrat e mëdha tregtare, flokëtoret, etj.
Ditët e fundit, infektimet ditore kanë pësuar rënie dhe kjo për Kancelarin Kurc ndodh falë masave të marra në kohën e duhur, që nuk e mbingarkuan sistemin shëndetësor. Qytetarët janë të ndarë për këtë vendim.
“Jam i lumtur të dëgjoj për zbutjen e masave bllokuese dhe shpresoj që shumë shpejt të kthehemi në normalitet të plotë edhe pse duhet kujdes. Jam optimist se e kemi forcuar sistemin”, thotë një qytetar.
“Nëse jemi në momentin e zbutjes së masave duhet bërë kujdes, pasi gjërat mund të përkeqësohen sërish. Pandemia ka prekur gjithë botën dhe masat nuk mund të hiqen aq lehtë”, shprehet një tjetër.
Masat bllokuese kundër koronavirusit u morën 3 javë më parë pas rasteve të para të infektimit të ardhura nga Italia. 45% e të prekurve janë shëruar deri më tani. Aktualisht numërohen 319 viktima dhe mbi 7 mijë të infektuar.
Tv Klan