Ministrja Belinda Balluku iu kundërpërgjigj kështu opozitës lidhur me akuzat për projekt-buxhetin 2025.
“Llumi e zifti që i hidhet jo thjesht buxhetit, por Shqipërisë dhe gjithçkaje që kemi arritur të gjithë bashkë, mirë apo keq, nga 2013-a deri më sot”, u shpreh ajo nga foltorja.
Në Kuvend, ajo renditi një sërë aksesh rrugore e jo vetëm që janë parashikuar të ndërtohen e rehabilitohen vitin që vjen.
“Korridori i 8-të dhe Korridori Blu si dy nga projektet më madhore dhe strategjike të qeverisë shqiptare nuk janë vetëm autostrada të shpejtësisë së lartë, por janë korridore ndërlidhëse që përfshijnë transportin rrugor, atë hekurudhor dhe padyshim linjat energjitike e ato dixhitale. Pjesë në këtë projektbuxhet është zgjerimi i rrugës Elbasan-Qafë Thanë ku kantieret janë në process pune dhe kanë qëndrueshmëri. Parashikohet ndërtimi i segmentit nga bypassi i Elbasanit në drejtim të Lekaj e Rrogozhinë, një segment totalisht i ri. Pjesë e buxhetit është edhe bypassi i Elbasanit, ashtu siç është edhe bypassi i Tiranës.
Do rehabilitohet rrjeti hekurudhor Durrës-Rrogozhinë, jemi në diskutim me bankat europiane për të përfshirë në lidhjen hekurudhore nga Porti i Durrësit në Porto Romano deri në lidhjen me hekurudhën Tiranë-Durrës ose stacionin e Sukthit. Pjesë e këtij Korridori do të jetë edhe linja hekurudhore Vorë-Hani i Hotit, e cila do rehabilitohet plotësisht. Një projekt me gjatësi 120 km dhe përfshin 12 stacione. Duke e lidhur kështu Shqipërinë edhe me korridorin europian.
Rruga e Arbrit, që ka patur problematika gjeologjike. Tuneli i Murrizit do jetë një nga veprat më të ndërlikuara në Evropë, shumë shpejt do jetë në përdorim të qytetarëve, ne shrpesojmë që të jetë funksional brenda këtij viti. Sot në Dibër shkohet për një orë e gjysmë. Do përmendja dhe Urën e Cerenecit, zgjerimin e autostradës Tiranë-Durrës që do marrë nga një korsi në secilin krah, dhe nga një korsi për emergjencë. Bypassi i Sarandës, një vepër që ka ardhur si nevojë e shtimit të turistëve. Rruga Qafë Bualli-Martanesh dhe rehabilitimi i rrugës Fier-Patos-Frataj“, tha Balluku.
E.D/tvklan.al