Mbështetje për buxhetin dhe rritjen ekonomike pas efekteve të pandemisë
Banka Botërore ka miratuar një kredi me vlerë 80 milionë dollarë, e cila do të shërbejë si mbështetje për ekonominë dhe buxhetin e Shqipërisë pas situatës që ka krijuar tërmeti dhe pandemia e Covid.
Projekti për Financimin e Politikave Zhvillimore ka si qëllim reformat afatgjata për ndihmën ndaj bizneseve me synim hapjen e vendeve të punës dhe jo masat emergjente që janë marrë në kushtet e pandemisë.
“Konsolidimi i politikave dhe institucioneve për qëndrueshmëri fiskale dhe zhvillim ekonomik është element kyç për të siguruar rimëkëmbjen e fuqishme të ekonomisë dhe rindërtim më të mirë menjëherë pasi të hiqen gradualisht kufizimet në jetën ekonomike që kanë si qëllim ruajtjen e shëndetit publik.”
Projekti shtrihet edhe në forcimin e kapaciteteve dhe transparencës së administratës tatimore, monitorimin e kontratave të Partneritetit Publik Privat dhe miratimin e një kuadri ligjor për zgjidhjen jashtë gjyqësore të kredive me probleme.
Për këtë vit Banka Botërore projekton një tkurrje të ekonomisë me 8.4% , ndërsa shprehet se pandemia ka goditur të gjithë sektorët e saj dhe se rritja vitin e ardhshëm do të jetë nivelin 5%. Mali i Zi, Kosova dhe Shqipëria do të kenë rënien më të madhe ekonomike në rajon.
Tv Klan