Bashkimi Europian po përpiqet të ripërtërijë bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë dhe sot në Prishtinë ka dërguar përfaqësuesin e posaçëm Miroslav Lajçak. Vizita e tij vjen para hapjes së paralajmëruar nga Prishtina të urës së Ibrit në veri.
“Ne po angazhohemi me partnerët në Kosovë dhe shpresojmë që këto çështje t’i zgjidhim aty ku e kanë vendin, në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Europian”, tha të enjten zëdhënësi Peter Stano.
Vetë Lajçak paralajmëroi se vizita në Prishtinë do t’i paraprijë takimit mes kryenegociatorëve të të dyja palëve.
Vizita e tij vjen gjithashtu para bllokimit të mundshëm të pikave kufitare mes Kosovës e Serbisë. Bllokimi mund të fillojë nga sot nga një grup serbësh që kërkojnë tërheqjen e forcave të policisë së Kosovës nga veriu dhe kthimin e institucione të Serbisë atje.
Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës u bëri thirrje qytetarëve që të shmangin udhëtimin nëpër Serbi.
Klan News