Vendimi i Bashkimit Europian që ta ndajë Shqipërinë nga Maqedonia e veriut në rrugëtimin europian është dështim shekullor për qeverinë me legjitimitet monoetnik, thuhet në një komunikatë të BDI-së.
Sipas tyre, partitë humbëse shqiptare nënshkruan deklaratë parazgjedhore duke u zotuar që asesi nuk do të bëhen pjesë e një qeverie pa ndryshimin e kushtetutës dhe zhbllokimin e rrugës europiane të vendit.
“Gënjyen. Për 100 ditë shkaktuan skandale që na kthyen prapa 30 vjet dhe na humbën shpresën e fundit për integrim në Bashkimin Europian. Rreshtimi juaj i hapur me Rusinë dhe Kinën nuk është i pranueshëm dhe është në kundërshtim me përcaktimet e qytetarëve për partneritet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Europian”, thonë nga BDI.
Nga ana tjetër, LSDM-ja thotë se Shqipëria do të bëhet “perëndim” për Maqedoninë e Veriut, kurse Mickoski ka ndërprerë negociatat me BE-në. Socialdemokratët thonë se derisa Hungaria ofrohet si ndërmjetës në këtë kontest, ambasadori i tyre në BE ka votuar “pro” ndarjes së Tiranës dhe Shkupit.
Ndërkaq, gjatë një prononcimi për Tv Alfa, Antonio Miloshoski nga VMRO-DPMNE tha se Traktati i Miqësisë, i nënshkruar nga LSDM dhe BDI i ka shkaktuar dëm të madh vendit.
“Nga këndvështrimi i sotëm vërtetohet se kemi pasur të drejtë, por fatkeqësisht indikacionet tona në 7-8 vitet e fundit nuk e ndryshuan qeverinë e LSD-së dhe BDI-së për të nënshkruar një sërë protokolle të tjera të dëmshme që bartin këtë pasojë, Shqipëria të vazhdojë dhe të hapë negociatat për anëtarësim në BE dhe Maqedonia të bllokohet përsëri nga Bullgaria, sepse qeveria e kaluar ia dha në pjatë instrumentet për bllokadë të pajustifikueshme”, tha Milloshoski.
Kanë reaguar edhe nga koalicioni VLEN. Përmes një postimi në Facebook, Zv/Kryeministri, Izet Mexhiti, thotë se pas 22 vitesh dështim në procesin euro-integrues, është turp të akuzohet koalicioni VLEN që “paska dështuar” në rrugën e integrimit.
Sipas Mexhitit gjatë qeverisjes së BDI-së integrimi ishte në vdekje klinike edhe përkundër faktit që siç thotë, pati kryeministrin shqiptar e ministrin e jashtëm, që zotohej për integrimin e vendit./Klan Macedonia