Refuzimi i Holandës ka ndarë vendet e unionit

Ndasitë e thella mes vendeve europiane kanë dalë edhe një herë në pah në samitin e Brukselit, ku prej tre ditësh liderët nuk po bien dakord për grumbullimin dhe menaxhimin e 750 miliardë eurove fonde për rimëkëmbjen e ekonomive të shteteve anëtare të goditura më rëndë nga pandemia. Në mollë sherri është shndërruar Holanda, e cila rrezikon të përjashtohet nga marrëveshja përfundimtare, që pa të do të nënshkruhet nga 26 vende anëtare. Kjo mundësi sipas analistëve është konsideruar si fillimi i shkëputjes së Holandës nga unioni.

Kryeministri holandez Mark Rutte, i gjendur në krye të një qeverie minorance është përballë presionit për mocion mosbesimi të euroskeptikëve të Geert Vildersit. Kërkesa e tij është që vendet anëtare të fitojnë të drejtë vetoje për dhënien ose jo të këtyre fondeve vendeve të caktuara. Holanda është kundër granteve dhe kërkon që shuma të jepet e gjithë në formë borxhesh. Në mbështetje kanë dalë edhe Danimarka, Suedia e Austria, si vende donatore.

Indirekt, Holanda është kundër dhënies së granteve për Italinë dhe Spanjën, që janë vendet më të goditura nga kriza e pandemisë. Rutte kërkon që paratë t’u jepen në formë kredie. Qëndrimi i këtij vendi është zbuluar pas propozimit të Charles Michel-it, që vetëm 450 miliardë euro të jepen si grante, në këmbim të reformave që duhet të kryejnë vendet anëtare. E teksa kancelarja gjermane Angela Merkel paralajmëron rrezikun e daljes pa marrëveshje, kryeministri italian Giuseppe Conte kërkoi që Holanda të përjashtohet nga marrëveshja.

Tv Klan