Prej disa javësh tashmë, zona të ndryshme në veri dhe jug të vendit janë përfshirë nga zjarret.
Situata më e vështirë paraqitet në lartësitë e fshatrave të bashkive Finiq dhe Delvinë, ku janë angazhuar forca të shumta të emergjencave vendore dhe efektivë të Forcave të Armatosura.
Pas kërkesës së bërë nga autoritetet shqiptare, dhe koordinimit me Qendrën e Emergjencave Civile Evropiane në Bruksel, Mekanizmi Evropian i Mbrojtjes Civile ka aktivizuar ndihmën për disa vende evropiane, mes të cilave është edhe Shqipëria.
Balazs Ujvari, zëdhënës i Komisionit Europian: Sa i përket mbështetjes për Shqipërisë përfshihet një avion ushtarak shumëfunksional nga Rumania me kapacitet 6 ton ujë që do të ndërhyjë më 14 Gusht.
Ndërsa për shuarjen e zjarreve në Greqi janë angazhuar dy avionë zjarrfikës nga Italia, një helikopter nga Franca dhe një helikopter të ofruar nga Serbia. Ekipet zjarrfikëse nga Çekia, Franca, Italia, Serbia dhe Rumania janë vendosur tashmë, ndërsa zjarrfikësit rumunë, maltezë dhe moldavë, ishin ndër të parët që shkuan për të ndihmuar për shuarjen e zjarreve në Greqi.
Komisioni po monitoron nga afër situatën dhe shprehet gatshëm të dërgojë ndihmë të mëtejshme sipas nevojës.
Situata problematike vijon të mbetet në Parkun e Prespës, ku prej më shumë se një jave vijon beteja me zjarret. Për izolimin e vatrave të zjarrit në Malin e Thatë, autoritetet vendore janë koordinuar me ato të Maqedonisë së Veriut.
Pas përpjekjeve të shumta forcat e emergjencave arritën të vënë nën kontroll zjarrin në Selenicë, duke shmangur edhe rrezikun për zonat e banuara. Ky zjarr në këtë zonë ka qene i qëllimshëm. Policia ka arrestuar një 62-vjeçar ne fshatin Mertiraj, pasi gjate vendosjes se zjarrit për pastrimin e barit të kullotave dogji 10 hektarë tokë dhe 320 rrënjë ullinj.
Klan News