Shtëpitë e tyre janë shembur për ndërtimin e dy rrugëve në qytetin e Durrës. 30 familje që jetonin në lagjen nr 17 thonë se kanë mbetur në qiell të hapur dhe nuk dinë se çfarë do bëhet me strehimin e tyre.
Ndaj banorët dolën në një protestë para bashkisë së Durrësit.
“Kanë thënë do ti merrni pallate të reja shtëpitë, ne s’na kanë dhënë asgjë. Hajde në Bashki, kurgjo, shko në Tiranë kurgjo, hajde këtu kurgjo”.
“Deri më sot kemi marrë 3 muaj bonus. 3-4 muaj bonus dhe si mund të jetoj unë? Unë kam një shtëpi me qira në Durrës me 350 mijë Lekë. Vetë i shtati. Si mund të jetoj unë?”.
“Unë e kam të papërballueshme, e kam të pamundur jetesën me këto. Nuk mundem që të paguaj qeranë. Aktualisht kam 6 muaj qira pa dhënë”.
“Është shumë e papërballueshme për ne që të vazhdojmë të jetojmë kështu me qira. Kam 5 vjet rrugëve”.
Problematikën e tyre e dëgjuan edhe përfaqësues të avokatit të popullit.
“Kemi disa vite që po ndjekim këtë çështje. Jemi në komunikim të vazhdueshëm, sigurisht gjërat nuk zgjidhen shpejt. Prandaj do ndjekim dhe çfarë ka ndodhur me ankesat tona”, u shpreh Enio Haxhimihali.
Nga Bashkia e Durrësit thonë se përgjegjësinë për vonesat e ka Agjencia Shtetërore e Kadastrës pasi shtëpitë janë ende në proces legalizimi.
Klan News