Borrell e ka përshkruar mungesën e ndihmave në enklavën e bombarduar si një fatkeqësi të krijuar nga njeriu
Uria po përdoret si një armë lufte në Gaza. Kështu ka deklaruar shefi i politikës së jashtme të BE-së Josep Borrell ndërsa e ka përshkruar mungesën e ndihmave në territor si një fatkeqësi të krijuar nga njeriu.
Një anije spanjolle që transportonte furnizime ushqimore të nevojshme është larguar nga Qiproja për në Gaza, por OKB thotë se kjo nuk mund të zëvendësojë dërgimin e ndihmave nga toka. Megjithatë BE ka kërkuar që vëmendja të zhvendoset drejt rrugëve alternative, duke përfshirë pikat detare dhe ajrore.
Duke iu drejtuar Këshillit të Sigurimit të OKB-së në Nju Jork Borrell tha se kriza humanitare në territor ishte si rezultat i mungesës së rrugëve tokësore të qëndrueshme.
“Ndihma humanitare duhet të hyjë në Gaza dhe Bashkimi Evropian po punon me aq sa mundemi për ta bërë të mundur. Kriza humanitare është e krijuar nga njeriu dhe kur ne kërkojmë mënyra alternative për të ofruar mbështetje nga deti, nga ajri”, u shpreh Borrell.
Komentet e tij vijnë pasi OKB-ja paralajmëroi se të paktën 576,000 njerëz në Gaza një e katërta e popullsisë ishin një hap larg urisë. Të paktën 27 njerëz, shumë prej tyre fëmijë, kanë vdekur si pasojë e kequshqyerjes dhe dehidrimit në spitalet atje në dy javët e fundit.
Izraeli ka mirëpritur krijimin e korridorit detar dhe ka bërë të ditur se po lehtësonte transferimin e ndihmave në Gaza, ndërkohë që forcat e tij vazhdojnë të luftojnë Hamasin. Ndërkaq, Sekretari i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, David Cameron, i ka kërkuar Izraelit të hapë portin kryesor të Ashdod, një nga tre portet kryesore që ndodhet në jug të Tel Avivit për dërgesat e ndihmave të destinuara për Gazën.
Nga ana tjetër Shtëpia e Bardhë u bëri thirrje militantëve të Hamasit në Gaza të lirojnë gratë, të moshuarit dhe pengjet e plagosur dhe të pranojnë një armëpushim të përkohshëm. Izraeli ka pranuar kushtet e një armëpushimi gjashtëjavor në këmbim të lirimit të disa prej pengjeve të mbajtura, ndërsa grupi militant kërkon armëpushim të përhershëm dhe tërheqje të trupave izraelite nga Gaza.
Klan News