Presidenti Bajram Begaj vijon konsultimet me partitë për datën e zgjedhjeve vendore. Këtë të enjte, ashtu siç ishte parashikuar në fakt, në ambientet e Presidencës shkoi kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla. Ky i fundit pas përfundimit të takimit pati një prononcim për mediat. Ai u shpreh se mazhoranca nuk ka propozuar një datë të caktuar. Sipas tij, kreu i shtetit duhet që të marrë të gjitha propozimet që vijnë nga palët dhe në fund është kompetencë e Presidentit vendosja e datës. E sigurt, sipas Ballës, është që zgjedhjet do të zhvillohen brenda afatit 15 Prill-15 Maj.
“Dua të ndaj me ju vlerësimin se presidencës së republikës tashmë i është kthyer normaliteti dhe konsultimet e Presidentit të Republikës si kryetar i shtetit dhe përfaqësues i unitetit kombëtar me partitë politike, jo vetëm për këtë çështje, por për shumë çështje që përfshinë kompetencat e Presidentit të Republikës duhet të jenë një normalitet i përhershëm. Dhe mendoj që të gjitha partitë politike apo palët e tjera duhet të respektojnë pikë së pari kompetencën e drejtpërdrejtë të Presidentit që është ai i vetmi autoritet që në zbatim të Kodit Zgjedhor dhe brenda afateve të përcaktuara po prej kodit të përcaktojë se cila do të jetë data e zhvillimit të zgjedhjeve. Një gjë është e sigurt, zgjedhjet mund të zhvillohen brenda afatit 15 Prill-15 Maj dhe natyrshëm duke marrë në vlerësim edhe ndonjë festë zyrtare që mund të bjerë në ndonjë prej këtyre afateve. Ne nuk kemi diskutuar ose nuk kemi qenë të prerë në një propozim tonin apo sugjerim tonin për një datë të caktuar sepse besojmë që Presidenti i Republikës duhet të marrë në konsideratë të gjitha propozimet që vijnë nga të gjitha partitë politike. Partia Socialiste e Shqipërisë është gjithmonë e gatshme të marrë pjesë në zgjedhje dhe natyrshëm edhe t’i fitojë ato. Ajo që vërej me një vlerësim maksimal është gatishmëria e Presidentit për të dëgjuar të gjithë aktorët politikë që pritet të marrin pjesë në zgjedhjet vendore të vitit 2023”, u shpreh Balla.
Kujtojmë që më herët kreu i shtetit ka zhvilluar takime me grupet e tjera parlamentare. Në zyrën e tij ka shkuar Ilir Meta, Enkelejd Alibeaj, Fatmir Mediu, Vangjel Dule, Agron Duka dhe Dashamir Shehi.
Ndërkohë para se të niste takimet me grupet parlamentare, kreu i shtetit zhvilloi një takim me Kryeministrin Edi Rama. Kujtojmë që në vitin 2023 do të zhvillohen zgjedhjet vendore për kryetarë bashkie./tvklan.al