Kryetari i PD, Sali Berisha thotë se ka qenë presioni i protestave të opozitës para bashkisë së Tiranës që shtyn SPAK për të ushtruar kontroll në banesën e kryebashkiakut Erion Veliaj. Në konferencën për mediat, kryedemokrati theksoi se protestat dhe mosbindja civile do të vijojë kundër Veliajt dhe qeverisë.
Sali Berisha, kryetar i PD: Është një operacion i diktuar nga revolta popullore, mosbindja civile, e cila do të vazhdojë gjersa qytetarët të ‘varin’ në shtyllën e turpit, aty ku e ka vendin, kryehajduti i Tiranës, Erion Veliaj.
Projektligjin e propozuar nga PS për faljen e gjobave për ndërtimet pa leje në zonat rurale, e cilësoi tallje me qytetarët. Ai u zotua se kur PD të rikthehet në pushtet do të falë gjobat për energjinë dhe ujin, ndërsa për ata që i kanë paguar do të ketë dëmshpërblime.
Sali Berisha, kryetar i PD: Për punonjësit me rroga mesatare e poshtë, për familjet me nëna kryefamiljare, për të gjithë familjet në ndihmë ekonomike, në papunësi, do falen të gjitha gjobat e energjisë elektrike dhe ujit të pijshëm. Në 100 ditët e para, do të jetë ky një nga aktet normative më të rëndësishme që do dekretojë qeveria e ardhshme.
Ndonëse PD tashmë ka zyrtarisht vulën, Berisha nuk ka përjashtuar asnjë deputet që ka mbajtur qëndrime kundër tij, madje as vet Lulzim Bashën për të cilin nuk i kursen ironitë.
Sali Berisha, kryetar i PD: Taulant Ballës do e lëmë me Taulant Ballën. Ai nuk ka rëndësi regjistri, ai është si binjak siamez i Taulant Ballës.
Edhe pse nuk ishte i pranishëm në protestën e PL para SPAK, kreu i demokratëve shpreh mbështetje për aksionin e aleteve të tij. Mungesën e tij në këtë protestë e argumentoi se ky tubim u thirr nga PL dhe jo nga koalicioni i opozitës.
Klan News