Pas takimeve në Itali dhe atij të kësaj fundjave në Athinë, Berisha është edhe më i bindur se emigrantët do të mbështesin programin e tij. Çka sipas tij është e qartë dhe për Ramën që është i vetdijshëm që shqiptarët që jetojnë jashtë nuk do votojnë për të.
“Unë gjeta atë mbështetje, atë shpërthim energjie dhe optimizmi, identik të vitit 1991. Buçiste nga të gjitha anët, o Edvin e kështu o ashtu, diaspora nuk të don”, tha Berisha.
Berisha thotë se sapo të vijë në pushtet do të rikthejë në tryezën e bisedimeve marrëveshjen e detit me Greqinë.
“Unë ju them shqiptarëve që ajo ishte marrëveshja më e mirë që Shqipëria mund të marrë ndonjëherë në gjitha kohërat. Unë kam të drejtë të ulem në tryezë me palën greke dhe të bëjmë zgjidhjen më të mirë të mundshme për të dy vendet”, tha Berisha.
Por kryedemokrati di dhe arsye të tjera veç asaj për humbjen e zgjedhjeve përse Edi Rama duhet të shqetësohet dhe ato lidhen me zhvillimet më të fundit në SHBA pas ardhjes së Donald Trump.
“Do gjykohet rëndë Edi Rama për krimin e tij të shëmtuar. Ky është një lajm i hidhur edhe më i hidhur do bëhet për Ramën, të jetë i përgatitur”, tha Berisha.
Berisha akuzon kreun e SPAK-ut se po e mbron Ramën duke mos e hetuar për McGonigalin dhe merr në mbrojtje prokurorin e dosjes Veliaj që sipas tij po pengon dhe shantazhin ndaj drejtësisë.
“Kërcënimi i tij për Ols Dadon nuk ka akt më të mirëfilltë të pengimit të drejtësisë se ky. PD po shqyrton të gjitha modalitetet për ta paditur për aktet e pengimit të drejtësisë dhe kërcënimit të dëshmitarëve”, tha Berisha.
Tv Klan