Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj është përplasur këtë të hënë në distancë me SPAK dhe Gjykatën e Posaçme. Shkak u bë një postim në Facebook i Veliajt që sipas tij tregon një pjesë nga proceverbali nga seancës gjyqësore të 12 Shkurtit ku u dha masa e sigurisë ndaj tij dhe ku kryebashkiaku pretendon se prokurori Ols Dado e ka fyer duke e quajtur “ndyrësirë”.
“Ky është një nga dialogjet në thertoren e Erion Kasapit! Shihni çfarë gjuhe flet prokurori i SPAK-ut, aq të ulët sa edhe Erion Kasapi (gjyqtari) duket xhentëllmen para tij! Kjo gjuhë dhe atmosferë, sikur Sigurimsat janë kthyer nga penxherja, pasi i nxorëm nga dera, nuk duhet toleruar më”, shprehet Veliaj.
Por nuk ka vonuar reagimi i Gjykatës së Posaçme dhe SPAK-ut që kanë publikuar këtë procesverbal nga seanca në fjalë. Ato e quanjnë të pavërtetë këtë pretendim të Veliajt. “S’ke turp që thua banesën e prokurorit. Ca është kjo? Kërcënim është ky që tregon në banesën e prokurorit”, është pasazhi i zbardhur nga seanca ne procesverbal.
“Nga verifikimi i bërë në sistemin audio, të seancës gjyqësore për marrjen në pyetje të personave nën hetim Erion Veliaj, etj., të datës 12.02.2025, (të cilit i referohet i hetuari Erion Veliaj në postimin e tij) si dhe nga procesverbali i seancës gjyqësore, nuk rezulton që të jetë përdorur fjala “ndyrësirë” nga ana e prokurorit Ols Dado në asnjë moment”.
Veliaj është duke qëndruar në paraburgimin e Durrësit që prej 13 Shkurtit në pritje të seancës së Apelit.
Tv Klan