Qeveria gjermane e quajti përpjekje për të ndikuar në zgjedhjet e ardhshme të vendit, deklaratën e përsëritur të miliarderit amerikan Elon Musk për mbështetje të partisë “Alternativa për Gjermaninë” (AfD) të ekstremit të djathtë.

“Musk është i lirë të shprehë mendimin e tij”, tha zëvendëszëdhënësja e qeverisë, Christiane Hoffmann në Berlin.

“Por në këtë rast Elon Musk po përpiqet të ndikojë në zgjedhjet federale përmes komenteve të tij,” shtoi ajo.

Reagimi i qeverisë federale erdhi pas thirrjes së Musk-ut për mbështetje ndaj AfD-së në zgjedhjet e parakohshme të 23 Shkurtit.

Në një opinion për gazetën konservatore gjermane “Die Welt”, Musk e përshkroi AfD-në si “shkëndijën e fundit të shpresës për këtë vend”. Publikimi i artikullit shkaktoi dorëheqjen e një redaktori të lartë të gazetës në shenjë proteste.

Zëdhënësja Hoffmann theksoi se zgjedhjet do të vendosen nga votuesit në kutinë e votimit dhe shtoi se ato janë çështje e brendshme gjermane.

“Liria e shprehjes është një e drejtë e vlefshme. Por Musk nuk duhet të ndajë pikëpamjet e tij në këtë mënyrë”, theksoi Hoffmann, duke vënë në dukje se partia e rekomanduar nga Musk po hetohet nga shërbimet e sigurisë nën dyshimin për ekstremizëm.

Musk është shfaqur si një këshilltar i ngushtë i presidentit të zgjedhur amerikan Donald Trump. Ai e ka justifikuar ndërhyrjen e tij në politikën gjermane me faktin se është shef ekzekutiv i kompanisë “Tesla” të prodhimit të makinave elektrike.

Klan News