Ish-lideri italian Silvio Berlusconi u dërgua me urgjencë në spital në Monaco për shkak të problemeve me zemrën.
Lajmi u konfirmua nga mjeku personal i ish-Kryeministrit italian, Alberto Zangrillo, i cili tha se pasi e kishte ekzaminuar të hënën, e kishte vendosur ta transferonte në spital. Për AFP, një zëdhënës i Berlusconi-t tha se gjendja e tij ishte e stabilizuar dhe se do të rikthehej në shtëpi pas disa ditësh.
84-vjeçari është përballur me shumë probleme shëndetësore përgjatë viteve të fundit. Në 2016-n iu nënshtrua një ndërhyrje kirurgjikale, ndërsa në Shtator u shtrua në spital me Covid-19, pas një vizite që kishte pasur në Sardenjë.
Berlusconi zhvilloi pneumoni të dyfishtë pasi u prek nga virusi dhe u trajtua për më shumë se një javë në spitalin San Raffaele të Milanos.
Pas daljes nga spitali, ish-Kryeministri tha se i kishte mbijetuar “sfidës më të rrezikshme” që ishte përballur ndonjëherë më parë.
Berlusconi ka qenë 4 herë kryeministër i Italisë dhe anëtar i Parlamentit Europian prej 2019-s./tvklan.al