Presidenti amerikan është optimist se do të ketë një armëpushim në Rripin e Gazës, që do të hyjë në fuqi shumë shpejt. Bajden foli nga Merilendi në Shtetet e Bashkuara pas fundit të negociatave dy-ditore në Doha të Katarit të enjten dhe të premten, ku tha se mbeten vetëm pak gjëra për të cilat duhet rënë dakod mes Izraelit dhe Hamasit, ndërsa nuk dha një afat se kur mund të arrihet marrëveshja.

Negociatat e armëpushimit në Qatar do të vazhdojnë javën e ardhshme. Palët këmbëngulin në kushtet e tyre. Izraeli kërkon me çdo kusht lirimin e 33 pengjeve të mbetur në duart e Hamasit. Përfaqësuesit e organizatës që qeveris Rripin e Gazës nuk janë pjesëmarrës në bisedime, por janë në kontakt të vazhdueshëm me negociatorët e Katarit dhe Egjiptit. Hamasi kërkon që para se të arrihet një marrëveshje, ushtria izraelite të tërhiqet nga Rripi i Gazës.

Ndërsa qëndrimi i kryeministrit izraelit, Benjamin Netanjahu është që nuk do të ketë tërheqje të ushtrisë, deri në spastrimin e plotë të Hamasit nga territori jugperëndimor palestinez. Katari, Egjipti dhe Shtetet e Bashkuara janë ndërmjetësues në negociatat mes palëve.

Tv Klan