Tremujori i parë i vitit shënoi një rritje të performancës së ekonomisë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ky është përfundimi në të cilin arrin një sondazh i kryer nga Dhoma Gjermane e Industrisë dhe Tregtisë me 1533 kompani, ku vlerësimet më pozitive që kanë ndikuar për këtë përfshijnë infrastrukturën, negociatat për anëtarësimin në BE, si edhe fleksibilitetin në të drejtën e punës. Gjithsesi për drejtorin Ekzekutiv të Shoqatës Gjermane të Industrisë dhe Tregtisë në Shqipëri, sfidë mbetet gjetja e fuqisë punëtore.

Ambasadori Karl Bergner konfirmoi edhe një herë se Gjermania mbetet një partner afatgjatë dhe i besueshëm i Shqipërisë në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian.

“Përmirësimi i financave publike, të ardhurat nga turizmi dhe hovi që ka marrë industria e ndërtimit janë tregues që Shqipëria të ndihet krenare për këto rezultate. Megjithatë, për të rritur atraksionin e Shqipërisë si vend për investime ekonomike edhe nga Gjermania, nevojiten përpjekje të vazhdueshme nga të gjitha palët në krijimin e një klime pozitive investimi si dhe sigurimin e një fushe loje të barabartë për investitorët”, tha ai.

Për sa i përket ecurisë së ekonomisë në të ardhmen ajo vlerësohet e qëndrueshme, e ngjashme me pritjet vitin e kaluar, ndërkohë që sa u takon të ardhurave të biznesit, 32% e të anketuarve presin rritje të tyre, ndërkohë që 30% mendojnë se ato do të qëndrojnë të pandryshuara.

Tv Klan