Kryeministrja daneze Frederiksen dhe kancelari gjerman Olaf Scholz diskutuan kërcënimin që paraqet Rusia dhe Kina.
Çfarë thanë liderët
Scholz iu referua incidentit të fundit, dëmtimit të kabllove nënujore në Detin Baltik, të cilin shumë ekspertë ia atribuojnë Rusisë dhe flotës fantazmë të anijeve të saj, që anashkalojnë sanksionet.
“Vetëm dje mësuam se një kabllo tjetër nën det ishte dëmtuar. Kjo tregon kërcënimin që paraqet flota fantazmë ruse”.
Kancelari iu referua një misioni të nisur së fundmi nga aleanca ushtarake e NATO-s për të mbrojtur infrastrukturën nënujore në Detin Baltik.
“Me operacionin “Baltic Sentry” të NATO-s, ne do të përmirësojmë mbrojtjen e Detit Baltik dhe infrastrukturën kritike atje. Është e qartë se NATO mbetet “garantues i sigurisë sonë të përbashkët””, shtoi Scholz, duke argumentuar se kjo është arsyeja pse shumë aleatë kanë rritur ndjeshëm shpenzimet e tyre të mbrojtjes vitet e fundit.
Kancelari gjerman nuk e përmendi drejtpërdrejt interesin e fundit të presidentit amerikan Donald Trump që Groenlanda të bëhet pjesë e SHBA. Megjithatë, ai u duk se aludoi për këtë gjatë konferencës për shtyp.
“Kufijtë nuk mund të zhvendosen me forcë: për atë që mund t’i interesojë!”
Kryeministrja e Danimarkës Mette Frederiksen këmbënguli që Evropa të marrë përgjegjësinë për sigurinë e saj.
“Ne kemi nevojë për një Evropë më të fortë dhe më të vendosur, gjithnjë e më autonome, të aftë për të mbrojtur dhe mbështetur Evropën dhe interesat evropiane,” tha ajo. “I takon Evropës të përcaktojë të ardhmen e kontinentit tonë. Dhe unë mendoj se ne duhet të marrim më shumë përgjegjësi për sigurinë tonë, duke forcuar industrinë tonë të mbrojtjes.”
Çfarë fshihet pas këtyre komenteve?
Të dy liderët folën pasi një kabllo nën Detin Baltik midis Suedisë dhe Letonisë u shkëput në një akt të dyshuar sabotimi. Letonia vendosi një anije luftarake menjëherë në afërsi dhe tha se dëmi ishte shkaktuar nga “ndikimi i jashtëm”.
Një anije bullgare që ishte larguar nga Rusia disa ditë më parë u sekuestrua nga autoritetet suedeze në pritje të një hetimi.
Ky është i fundit në një seri incidentesh që kanë shtuar frikën e sabotimit dhe spiunazhit rus në rajonin strategjik.
I nisur në fillim të këtij muaji, Operacioni Baltic Sentry përfshin fregata, avionë patrullimi detar dhe një flotë dronësh detarë për të ofruar “mbikëqyrje dhe parandalim të përmirësuar” për të mbrojtur infrastrukturën nënujore.
Kryeministrja daneze Mette Fredriksen po vizitonte Berlinin si pjesë e një turneu në kryeqytetet kryesore evropiane, në një kohë kur kontinenti po përballet me atë që ajo e quajti “një realitet më të pasigurt”.
Të hënën në mbrëmje, qeveria e tij njoftoi një marrëveshje me vlerë rreth 14.6 miliardë korona (gati 2 miliardë dollarë; 1.92 miliardë Euro) me palët përfshirë qeveritë e Groenlandës dhe Ishujve Faroe për të forcuar praninë e saj ushtarake në Groenlandë.
Lëvizja erdhi pasi Trumpi përsëriti interesin e tij që Groenlanda të bëhej pjesë e Shteteve të Bashkuara. Ishulli, i cili është në pjesën më të madhe autonom nën kurorën daneze, me mbrojtjen dhe politikën e jashtme të ofruara nga Danimarka, besohet se posedon burime të mëdha natyrore dhe ka pozicion strategjik për kontrollin e Arktikut./DW