Pasi bëri thirrje për një armëpushim në Gaza, Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken kërkon që Tel Avivi të tregojë maturi.
“Është shumë e rëndësishme që Izraeli të përgjigjet në mënyra që nuk krijojnë përshkallëzim më të madh dhe nuk rrezikojnë përhapjen e konfliktit me Hezbollahun në Liban”.
Blinken po bën përpjekjen e tij të parë të madhe për armëpushim në Gaza dhe Liban që kur Izraeli vrau liderin e Hamasit javën e kaluar dhe e fundit e tij para zgjedhjeve presidenciale që mund të ndryshojnë politikën e SHBA-së në rajon. Gjatë vizitës së tij nuk është lënë pa diskutuar edhe çështja e Gazës.
BBC shkruan se Antony Blinken u ka thënë udhëheqësve izraelitë se duhet bërë shumë më tepër për të lejuar ndihma humanitare për civilët në veri të Gazës.
Një zyrtar i lartë i administratës Biden ka bërë me dije po ashtu se është diskutuar i ashtuquajturi “plan i gjeneralëve”, një taktikë që konsiston në pastrimin e zonës nga civilët dhe në dorëzimin e militantëve të Hamasit. Po sipas tij, zyrtarët izraelitë i kanë thënë kryediplomatit amerikan se taktika nuk ishte pjesë e politikës së tyre.
Edhe gjatë vizitës së Blinken sulmet nuk janë ndalur. Forcat ajrore të Izraelit rrëzuan dy raketa nga Libani që ndezën sirenat e sulmit ajror në Tel Aviv. Disa zyrtarë të lartë të Departamentit të Shtetit të SHBA dhe Blinken u larguan nga dhoma e hotelit ku qëndronin dhe u futën në strehën e posaçme, për t’u mbrojtur nga sulmet.
Ndërkohë në Liban, ushtria izraelite bëri të ditur se kishte vrarë tre komandantë të Hezbollahut dhe rreth 70 luftëtarë në 48 orët e fundit.
Klan News