Sirenat e alarmit ranë në gjithë Izraelin mëngjesin e kësaj të Marte, ditën kur vendin po e viziton Sekretari Amerikan i Shtetit Antony Blinken. Hezbollahu lëshoi një breshëri raketash drejt veriut dhe zonave qendrore të Izraelit. Mbrojtja ajrore “kubeja e hekurt” shkatërroi të gjitha raketat që fluturuan drejt Tel Avivit.
Ndërsa në Haifa, një pjesë e tyre ranë në zonat përreth qytetit duke shkaktuar zjarre dhe dëme të tjera, por në shënjestër ishin objektivat ushtarake izraelite, ndër të cilat edhe një bazë detare. Raketat ishin kundërpërgjigje ndaj sulmeve të fuqishme izraelite gjatë natës në periferitë e Bejrutit, bastione të Hezbollahut ku u vranë 13 persona.
Ndërsa Sekretari Amerikan i Shtetit Antony Blinken mbërriti paradite. Sipas mediave, kryediplomati amerikan pritet të nxisë një armëpushim dhe lirimin e pengjeve nga Hamasi. Përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund luftës në Rripin e Gazës janë ndalur prej disa javësh, që pas hapjes së një fronti të ri konflikti mes Izraelit dhe Hezbollahut.
Tv Klan