Britania është në udhëkryq për drejtimin që duhet të marrë, pasi parlamenti britanik refuzoi edhe lëshimet që Bashkimi Europian i bëri Kryeministres May në marrëveshjen e Brexit-it. Një vendim që acaroi Brukselin, siç e shprehu qartë kryenegociatori europian për Brexitin, Mishel Barnie.
“Sërish Dhoma e Përfaqësuesve foli për atë çfarë nuk do. Tani, ky lëmsh mund të zgjidhet vetëm nga Britania e Madhe”.
Me kërkesë të Kryeministres britanike, parlamenti mblidhet sërish mbrëmjen e të mërkurës për të vendosur nëse vendi do të dalë pa marrëveshje nga Bashkimi Europian, çka mund të shkaktojë katastrofë ekonomike në Britaninë e Madhe.
Krerët e shtetit janë në kufijtë maksimalë kohorë për të zgjidhur situatën, pasi mbeten edhe 17 ditë nga shkëputja përfundimtare nga unioni. Si zgjidhje e mundshme shihet shtyrja e këtij afati, që sipas Brukselit nuk mund të zgjatet më shumë se pak ditë para zgjedhjeve europarlamentare të Majit.
Një tjetër zgjidhje që po fiton gjithnjë e më shumë mbështetje është një referendum i dytë për Brexit-in, që mund të mbahet brenda 6 muajve. Nëse kjo do të ishte zgjidhja, May mund të japë dorëheqjen dhe vendi mund të shkojë edhe në zgjedhje të parakohshme.
Për momentin, qeveria britanike po merr masa për daljen pa marrëveshje nga unioni. Pjesë e këtyre masave është heqja e doganave për mallrat nga Republika e Irlandës që hyjnë në Irlandën e Veriut dhe vendosja e tarifave doganore për mallrat nga vendet e tjera të unionit. Plani i May-t parashikon nisjen e negociatave për marrëveshje tregtare me vende jashtë BE-së.
Tv Klan